FOTO – Qendra Kulturore “Gjin Shkoza” në Vau- Dejës në gjendje të mjeruar, u rikonstruktua tërësisht në 2006- ën…

Ndoshta kultura dhe arti nuk janë prioritet i Bashkisë së Vau- Dejësit, por gjendja aktuale e Qendrës Kulturore “Gjin Shkoza”, është totalisht e papranueshme. Disa foto të siguruara nga Dom Nik Ukgjini, një dashamirës i artit, kulturës dhe trashëgimisë e identitetit tonë kombëtar, të shpërndara nga një emër tjetër i njohur i zonës si Ndoc Shaben, tregojnë se si po dergjet në degradim e harresë ky institucion që pa dyshim meriton vëmendje.

Në një organigramë të publikuar në faqen zyrtare të Bashkisë Vau- Dejës, kultura, turizmi dhe mjedisi janë thjesht një sektor, në varësi të Drejtorisë së Zhvillimit Rural. Pra, nuk është në vëmendje primare të qeverisjes vendore. Por pavarësisht kësaj, situata e treguar në foto në Qendrën Kulturore “Gjin Shkoza” është në kufijtë e skandalit. Sidomos, po të kihet parasysh se të ardhurat nuk mungojnë në këtë bashki.

Nuk është e qartë nëse ka një personel, drejtor përgjegjës apo vartës që paguhen sepse në kushtet që është aktualisht kjo qendër do të ishte abuzim i pastër. Po ashtu, nuk dihet nëse ka një agjendë vjetore aktivitetesh kulturore në këtë qendër, siç edhe nuk ka informacion nëse dyert e saj hapen ndonjëherë për tu ajrosur, sepse për aktivitete, në gjendjen që duket në foto, nuk mund të mendohet.

Këto foto, janë dhe duhet të jenë këmbanë alarmi, duke nisur nga kryebashkiaku Mark Babani. Duhet ndërhyrje urgjente për ta rikthyer në normalitet e më pas, për ta vënë në eficencë këtë qendër. Në një historik të shkurtër të saj në faqen zyrtare të Bashkisë Vau- Dejës, mësohet se qendra u ngrit në vitin  1968- 1970. Pra, ka kaluar gjysmë shekullin e jetës dhe aktivitetit. Po ashtu, ajo ka pësuar disa rikonstruksione, më i fundit në vitin 2006. Është detyrë e kësaj bashkie të vërë dorë sa më shpejt të jetë e mundur.

Historiku i Qendrës Kulturore të Fëmijëve, Vau Dejës sipas faqes zyrtare të Bashkisë Vau- Dejës

Ky objekt është ndërtuar rreth viteve 1968 – 1970, nga Ndërmarrja e H\C Vau Dejës dhe ka funksionuar si “Shtëpi Kulture” për shfaqje artistike, mbledhje, takime, shfaqje filmash etj. Deri në vitin 1974 është administruar nga Ndërmarrja e Hidrocentralit Vau Dejës, nga viti ‘74 deri në vitin ‘91 është administruar nga Kooperativa Bujqësore e Bashkuar Mjedë, si Shtëpi Kulture dhe si kinema, për të gjithë zonën e Vau Dejësit. Kishte  një staf prej 5 personash dhe  25 punonjës Vatrash  Kulture nëpër fshatrat e zonës të cilët vareshin nga kjo Qënder Kulturore (atëherë Shtëpi Kulture) Loro Kovaçi, me përgjegjës Gjovalin Gjonin.

Rreth viteve 1994—1995 është rikonstruktuar pjesërisht nga ish Komuna Vau Dejës. Nga viti 1997 (e disa vjet më vonë) u ndërpre funksionimi nga trazirat dhe më pas rinisi funksionin deri në vitin 2002 dhe ka funksionuar si Shtëpi Kulture nën administrimin e Komunës Vau Dejës  (e më vonë Bashkisë Vau Dejës), rrallëherë për aktivitete dhe takime të tjera.Këto vite deri në 2005-ën nuk ka pasur funksion të rregullt pasi ishte pa punonjës kulture.

Nga 1 marsi i vitit 2005 e deri tani ka funksion të plotë si Qënder Kulturore. Në vitin 2006 është rikonstruktuar pothuajse tërësisht nga Banka Gjermane K.F.V. dhe bashkia Vau Dejës, e në vazhdim ka shërbyer për shfaqje, kocerte, festival, takime e të tjera nevoja, me gjallëri çdo ditë në rritje me aktivitete kulturore, gjithnjë nën administrimin e bashkisë Vau Dejës. Që nga dhjetori i vitit 2014 është emëruar Qëndra Kulturore “Gjin Shkoza”.

ShkodraWeb Channel

Open

Close