FOTO – Propozohet vendosja e monumentit të Lek Dukagjinit në Shkodër, kryebashkiaku Spahia pret nismëtarët

Me datë 30-08-2022, rreth orës 13:00, një grup përfaqësuesish të inisiativës për vendosjen e monumentit të Princit Legjendar Lekë Dukagjini u takuam me Kryetarin e Bashkisë Shkodër z. Bardh Spahia. Takimi u zhvillua në ambjetet e Bashkisë, në zyrën e tij.

Qëllimi i takimit ishte vendosja e monumentit të Princit Lekë Dukagjini në qendër të Qytetit të Shkodrës. Pritja nga Kryetari i Bashkisë qe e përzemërt. Takimi u zhvillua i frytshëm dhe miqësor.


Në pamundësi për të qenë të pranishëm në takim me Kryetarin e Bashkisë Shkodër, disa nga emigrantët inisiatorë të monumentit si: z. Kujtim Delia emigrant në Australi, z. Gjergj Temeli , Kryetar i Bashkësisë Shqiptare të Emigrantëve në Toskana Itali dhe z. Gjin Markaj, emigrant në SHBA, takimi u përfaqësua nga disa inisiatorë dhe anëtarë komisioni.

Përfaqësuesit e inisiativës i shtruan kërkesën Kryetarit të Bashkisë për vendosjen e monumentit në vendin më të përshtatshëm në qendër të qytetit në lulishtë përpara “Teatër Migjeni”, ose në lulishtë përpara Bashkisë Shkodër.

Z. Bardh Spahia në fjalën e tij, përmbledhi në mënyrë të shkëlqyer figurën e prijësit shqiptar Lekë Dukagjini. Ai shprehu se: “Lekë Dukagjini është një ndër personalitetet më përbashkuese, më të ndritura të Kombit Shqiptar, përkrah Gjergj Kastriotit”. Gjithashtu ai u shpreh se: “Lekë Dukagjini ruajti më mirë se kushdo tjetër shqiptarizmin, duke na lënë testament Kanunin”.

Vendi më i përshtatshëm për vendosjen e monumentit të Lekë Dukagjinit është pikërisht përpara “Teatër Migjeni”, për faktin se:

Është në “komunikim” më të drejtpërdrejtë me të gjithë qytetarët e Shkodrës, e në veçanti me rininë intelektuale.
Është në vendin e duhur për t’u vizituar dhe njohur nga turistët, studiuesit dhe vendasit.
Është burim frymëzimi jo vetëm për Shkodrën, por për gjithë Kombin Shqiptar.

Në përfundim të takimit dorëzuam një kërkesë paraprake dhe ramë dakort për plotësimin e dokumentacionit të mëtejshëm, si dhe falenderuam Kryetarin e Bashkisë Shkodër z.Bardh Spahia, për pritjen e ngrohtë dhe vullnetin e përzemërt që shfaqi. /Publikuar në Facebook nga Pal SHKAMBI, avokat, pjesëmarrës në takim/