FOTO – Promovohet në Shkodër libri “Një jetë me këngë” i kantautorit të mirënjohur Fran Kodra…

Nga Kozeta BRUÇI

Sot na kanë mbledhur këtu 600 këngë, e nëse do llogarisnim kohën në të cilën ato janë krijuar është baraz me “Një jetë me këngë”. Sot na është dhënë mundësia të mbajmë në dorë një thesar të vertetë në kulturën tonë folklorike. Ky thesar nuk ka një anonimat, ashtu si mjaft perla të folklorit popullor, për të cilat nuk dimë autorin. 600 këngë kanë autorin e tyre, dhe ky është Fran Kodra. Te gjitha këngët janë të kënduara, kanë tekst dhe muzikë të krijuar nga Fran Kodra.


Qëllimi i këtij botimi me mjaft vlerë, është që publiku të dije se kush është autori i këtyre këngëve dhe jo vetëm këngëtarin, pra kush i ka krijuar si tekst dhe muzikë. Ju e dini që shpesh mjaft këngë të njohura këndohen dhe të paktë janë ata që dinë krijuesin e tyre. Nga ana tjetër nuk është pak, të krijohet një fond i tillë. Një këngë e mirë të merr ditë, muaj derisa ajo të marrë formën e saj më të mirë. Ka tekstin, muzikën, produksionin, që do të thotë; do frymëzim, durim, këmbëngulje, profesionalizëm, tipare që Fran Kodra i ka dhe që e kanë bërë të dukshëm në tregun muzikor apo rrethin e artistëve.

Prof. Zija Vukaj, i cili ka bërë parathënien dhe redaktimin dialektor të veprës, mes të tjerave shkruan: “Me larminë e saj epiko-lirike kthehet në një stacion të vyer nga ku gjenerojnë dhe bucasin jonet e traditës sonë burimore të këngëve veriore”.

Këngët grupohen në : këngë epike, kënge lirike dhe këngë me motive shoqërore. Në to lexuesit do të gjejnë motive ngjarjesh dhe profile heronjsh. Janë kushtime për vise si: Pultin, Shalën, Shoshin, Shllakun por edhe Kelemendin, Hotin, Shkrelin, etj. Të ngjajshme me rapsoditë që vijnë nga lashtësia. Këngët kanë funksion estetik por edhe patriotik, spikat arketipi i vendlindjes me vecoritë dhe variacionet e peizazheve idilike të bjeshkëve. Ndërsa në motivet shoqërore gjejmë disa motive si: kurbeti, tejetërsimin e individit nën pushtetin e lakmisë, boshatisjen e fshatrave, mos ruajtjen e traditave, etj.
Këto këngë të mrekullueshme janë realizuar nga Produksioni “Treva”, pjesë e Shoqatës Kulturore Artistike “Treva”. Gjinia e këngëve është folk popullor ose folk i moderuar.

Libri “Një jetë me kangë”, përmbledh 600 këngë të tij, të certifikuara me tekst dhe muzikë nga zyra Shqiptare e të Drejtave të Autorit në Tiranë, si dhe të ekspozuara ne marketingun muzikor brenda dhe jashtë vendit. Janë edhe 150 këngë që nuk janë futur në këtë botim, por që mendohet të futen në një vëllim të dytë.

Është interesant fakti që me 10-15 këngë, mjaft këngëtarë kanë bërë karrierë dhe janë të njohur për publikun e gjërë. Pritet që në teatrin “Migjeni”, në fund të vitit, të realizohet event i 19-të i shfaqjes tradicionale “Treva e Dukagjinit”

Jetëshkrimi

Fran Kodra është lindur më 13 korrik 1961 në Gjuraj-Pult, Shkodër. Përfundoi shkollën e mesme më 1984 në degën e hidroteknikës, HEC i Komanit. 1985-1991 punoi si punonjës kulture në Shtëinë e Kulturës në Pult, në rolin e masovikut të kulturës. Kreu studimet në gjininë e Folklorit, në qendrën e Kulturës së rrethit Shkodër (1986-1988).

Është vlerësuar si “Laureat i Festivalit” në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës në vitet 1983 dhe 1988. Bashkia Malësi e Madhe në 2013 i ka dhënë titullin “Sali Mani”. Kurse titullin “Qytetar Nderi” e ka marrë nga njësitë administrative: Pult, Shalë, Bleran e Rrethinat si dhe Gruemirë. Nga Unioni Artistik i Kombit Shqiptar është vlerësuar si “Krenaria e Unionit”.

Në 2018, në sondazhet e zhvilluara në public, nga Agjensia e Spektakleve “Buna 1”, Fran Kodra rezultoi një mes 10 personaliteteve të Shkodrës, ku fitoi titullin “Folkloristi më i mirë” Fran Kodra është i përzgjedhur nga Ministria e Kulturës për inventarizimin e trashëgimisë jomateriale, në një trajnim 2 vjecar, në Shkodër , financuar nga UNESC-o.

Njëherësh është themeluesi i Ansamblit Artistik “Treva” në 1998, me një gjithëpërfshirje të folklorit burimor të veriut, ku shpalosen vlerat kulturore tradicionale të Dukagjinit dhe më gjerë. Deri tani janë realizuar 18 edicione serioze dhe të suksesshme, në shfaqje të përqëndruara në fundin e vitit dhe pritet të realizohet edhe i 19-ti këtë vit.

Mendime të personaliteteve rreth vepren “Një jetë me kangë”

Zef Coba, Mjeshtër i Madh

Fran Kodra përfaqëson në fushën e trashëgimisë folklorike një nga modelet me vlera të vecanta si mbartës i pasionuar, njohës, hulumtues e studiues. Me karrierën, debutimin dhe aktivitetin e tij të suksesshem artistik në skenat më të njohura të vendit dhe të jashtë vendit, ka merituar respektin e publikut, të opinionit artdashës dhe të specialistëve si instrumentist virtuoz, rapsod, këngëtar dhe krijues i talentuar, ai është protagonist shumë i njohur dhe gëzon një reputacion jo vetëm në trevën e Dukagjinit nga e ka origjinën, por edhe në mjediset artistike ku lëvrohet rregullisht jeta artistike folklorike, në Shkodër e më gjërë…..

Robert Prennushi

Një fidan u ba pemë me fruta të bukura e me rrajë te thëlla, nji eksplorues dhe lavrues i apasionuem i pasqyrimit e lavrimit të vlerave tradicionale të trevës së tij; instrumentist shumë i talentuem, kantautor, drejtues dhe organizator. Ansambli “Treva” i krijuar prej tij, me atë repertor kaq të pasun, sot njihet në të gjitha vatrat shqiptare si një krenari e Dukagjinit, Veriut e krejt Shkodrës.

Sot, kur disa , me dashje o padashje, me shtymje apo me inisiativen e vet, po degradojnë këngën shqiptare, krijimtaria e grupi i Fran Kodrës asht nji qëndrim i qartë patriotik për ruejtjen e lavrimin e folklorit , e artit popullor.

Rrefrene këngësh

S’PO LANË SHTRIGAT ME BA DASËM
Në dashtni kur futet djalli
Ndahen zemrat për së gjalli
Njeri i dashtun t’bahet hasëm
Nuk lan shtrigat me ba dasëm
………………………………………..
JEPMA MOJ AT’MOLLË
Jepma moj at’mollë
Se ka dit asht pjekë
Se pa të ke ken
Pa të ke me mbet
………………………………………..
SHQIPNI ETNIKE
Jem një Komb e një Atdhe
Nuk na ndan krahinë as fe
Gjak shqiptarit vlon gjithmonë
Kena shqipen nanën tonë
Jem Ilirë e jem Dardanë
Një Flamur e një Vatan
S’njohim ma gur as kufi
Rrofsh sa malet Nanë Shqipni
…………………………………………
LLAFEXHIA
Ra një fjalë c’na erdhi hakut
U ba prrallë e burim gjakut
Llafexhi po t’ec davaja
C’na ka zënë me ty belaja
Llafet tua kan marrë tokën
Shpejt ishalla ta hanë kokën /Shkrim i publikuar në Facebook/