FOTO – “Projekti më madhor i këtij mandati për Shkodrën”, ministrja Edona Bilali promovon projektin e Bashkisë

Shkruan në Facebook ministrja për Mbështetjen e Sipërmarrjes Edona Bilali, deputete e Shkodrës: Nuk mund të rri më gjatë pa ndarë një super lajm që prek direkt apo indirekt çdo banor të Shkodrës.

Me mbështetjen e plotë të Kryeministrit, kam kohë që punoj për të shtyrë institucionet e linjës dhe aktorët përkatës për të bërë realitet projektin e rikualifikimit të hyrjes së Shkodrës.


Për ta përmbledhur, përpjekja ka nisur që pas fushatës pas shpalosjes së vizionit të Kryeministrit për të transformuar qytetin , në takimet e para disa muajve me drejtorin e FSHZH për të prioritizuar disa projekte me impakt të madh për Shkodrën, e deri sot në takimin me Jesus dhe Taulantin nga studio e famshme Casanova Hernandes e cila mban firmën e xhevahirëve arkitekturore në Shkodër si sheshi i Shirokës apo Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi.

Ajo çfarë pashë sot është koncepti i plotë i cili sigurisht do të dojë kohën e vet për tu zhvilluar dhe zbatimi do të bëhet me faza por çdo copëz që do të preket do ti sjellë Shkodrës vlerë të shtuar prone, më shumë të ardhura e më shumë mjedise rekreacioni për fëmijët e të rinjtë.

Tashmë fillon një rrugëtim që padyshim është projekti më madhor i këtij mandati për Shkodrën.

E kam thënë që në fillim të këtij rrugëtimi që sfidën për tju bashkuar politikës e kam pranuar për të kthyer Shkodrën në majë dhe ditë si këto janë motivimi më i madh për të vijuar në këtë linjë.