
Policia e Shtetit ka nisur një represion mbi News24, duke rrethuar godinën në orët e para të mëngjesit.
Pa paralajmërim dhe pa vendim gjykate, Policia kërkon lirimin e ambienteve ku aktualisht ndodhen redaksitë News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.
Në krye të uniformave blu ndodhet Ardi Veliu, si drejtues i shoqërisë “KAYO” i cili pretendon se godina i përket kompanisë së prodhimi të armëve.
Policia nuk lejon futjen e gazetarëve në ambientet e redaksisë, duke i privuar nga ushtrimi i punës së tyre dhe cenuar drejtpërdrejt lirinë e medias.
Veprimet arbitrare kanë vijuar me ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike, çka paralizon aktivitetin normal të mediave.
REAGIMI I PLOTE I AGSH
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë është i alarmuar për ngjarjen ku Policia ka Bllokuar zyrat e News24, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.
Ky veprim i alarmant përbën një shkelje flagrante të parimeve themelore të demokracisë dhe të lirisë së shprehjes, të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ndërhyrja e policisë, pengojnë drejtpërdrejt punën e gazetarëve, është një akt i papranueshëm dhe përbën presion të hapur mbi median e lirë.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë kërkon nga institucionet shtetërore të ndërpresin menjëherë këtë aksion, të garantojnë aksesin e gazetarëve në ambientet e punës dhe të respektojnë standardet demokratike për lirinë e medias.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje organizatave vendore dhe ndërkombëtare për lirinë e shprehjes të monitorojnë nga afër këtë situatë dhe të reagojnë publikisht.
I bëjmë thirrje institucioneve që çdo konflikt me televizionet private të zgjidhet me mirëkuptim dhe jo me forcë.








