FOTO – Pjetër Logoreci promovon në vendlindje fotoalbumin “Histori Shkodrane në Fotografi”…

Pjetër Logoreci është një nga shkodranët më aktivë në media por edhe në rrjete sociale për promovimin e vlerave të Shkodrës. Në media, hapësirat që i janë kushtuar punës së tij, kanë qenë mjaft të gjëra. Veçanërisht, pasioni i Logorecit është zbulimi i fotove të rralla, të cilat ai i ekspozon me shumë dëshirë dhe me shpjegime të detajuara.


Por tashmë, puna shumë vjeçare e Pjetër Logorecit, si një “bletë punëtore”, do të përmblidhet në një fotoalbum. Të paktën, një pjesë e tyre nga vitit 1908 deri në 1916. “Histori Shkodrane në Fotografi” është promovuar në mjediset e Hotel “Rozafa” në Shkodër, duke ngjallur jo pak interes të qytetarëve por edhe mediave. Logoreci jeton në mes Shkodrës e Vjenës dhe në kryeqytetin austriak, ka patur mundësi të sigurojë foto të panjohura nga arkivat atje. Është një punë e mund i konsiderueshëm, përtej pasionit, që ka zgjatur 6 vite.

Përmes fotoalbumit, fotove të shkrepura më shumë se një shekull më parë nga një grup gazetarësh lufte, rishfaqet Shkodra e atyre viteve, mënyra e jetesës në kohë lufte, arkitektura e veçantë e Idromenos dhe detaje të tjera. Publikimi i fotoalbumit është mundësuar nga një shkodran i mirë, të cilin e prazantoi vetë Logoreci. Ai nuk njihej me Edmons Jakajn, por ky kishte dëgjuar përmes mediave për Pjetër Logorecin e punën e tij, e cila kishte nevojnë për mbështetje financiare që të publikohej. Jakaj u shpreh i gatshëm dhe siç u shpreh në promovimin e fotoalbumit, ia kishte borxh qytetit ku kishte lindur e jetuar deri në moshën 20 vjeç këtë dhuratë simbolike.  /ShkodraWeb Media/