Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu zhvilloi këtë të enjte një vizitë në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Ajo u ndal fillimisht tek reparti i urgjencës që ka ndryshuar krejtësisht dhe në fjalën e saj para mjekëve, Manastirliu tha se jemi duke investuar për të fuqizuar shërbimin e urgjencës spitalore. Por e pranoi se ka përsëri shumë punë për tu bërë.
Ndërkohë, drejtorja e spitalit Teuta Rrjolli foli për shërbimin në repartin e urgjencës dhe bëri me dije se në 9 mujorin e fundit janë kryer mbi 4000 vizita në këtë repart. Ndër të tjera, ministrja Manastirliu shtoi se spitali i Shkodrës ka përfituar 22 pajisje në vlerën e 360 mijë eurove këtë vit.
Largimi i mjekëve nuk është një fenomen që ka prekur vetëm Shqipërinë, por edhe vendet e Rajonit dhe ato europiane. Deklarata erdhi nga ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu, teksa zhvillonte vizitën e saj në spitalin e Shkodrës. Sipas saj, kjo ndodh edhe për shkak të specializimeve të këtyre mjekëve, ndërkohë që tha se kemi strategjinë tonë për mjekët.
Vizita në spitalin e Shkodrës ka qenë pjesë edhe e postimit në Facebook të vetë ministres Manastirliu.