NEWS I ShkodraWeb.com

ShkodraWeb Media – E Verteta të bën të lirë!

FOTO – Përkujtohet “2 Prill 1991”, as pandemia e virusit nuk pengoi Shkodrën e shkodranët të kujtojnë Dëshmorët e Demokracisë

Ishte e parashikueshme dhe ashtu ndodhi! As pandemia e rrezikshme që ka përfshirë vendin tonë, nuk mund të pengonte Shkodrën e shkodranët të përkujtonin “2 Prill 1991”, të përkujtonte katër Dëshmorët e saj të Demokracisë. Në orën 11.00, në memorialin që përjetëson ngjarjen, u mblodhën familjarë të dëshmorëve, drejtues të shoqatës “2 Prill 1991”, drejtues të PD- së dhe kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi.


Janë vendosur kurora me lule nga familjarët, autoritetet vendore dhe përfaqësues të shoqatës dhe PD-së Shkodër. Një kurorë ishte edhe në emër të kryetarit të PD-së Lulzim Basha. Një përshendetje e shkurtër nga Harris Murana, kryetar i Shoqatës “2 Prill 1991” dhe një mesazh edhe në emër të Lulzim Bashës nga kryetari i PD-së Shkodër Xhevdet Amuli. Nderimi për Arben Brocin, Bujar Bishankun, Nazmi Kryeziun dhe Besnik Cekën, nuk ndalet nga asgjë. Dhe sot Shkodra e Shkodranët dhanë një provë të fortë.

Mund të ishte një aktivitet madhështor, por në rrethanat aktuale ishte vetë Shoqata “2 Prilli 1991” që njoftoi një organizim në këtë formë të përkujtimit. Dhe duhet thënë, të pranishmit bënë maksimumin për respektimin e masave për pandeminë, edhe pse mirënjohja e respekti për Dëshmorët e Demokracisë tregoi sot se është më i madh se edhe vetë rreziku i pandemisë.