FOTO – Përfundon rehabilitimi i rrjetit të furnizimit me ujë në zonën Abat- Breg Lumi në NJA Shalë të Bashkisë Shkodër

Ka përfunduar rehabilitimi i rrjetit të furnizimit me ujë për zonën Abat- Breg Lumi në Njësinë Administrative Shalë të Bashkisë Shkodër. Lajmin e ka dhënë përmes një publikimi në faqen zyrtare në Facebook kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi. Në publikimin e saj, të shoqrëuar me foto nga puna e bërë, Ademi shkruan:

“Jam e kënaqur që përmbyllëm rehabilitimin e rrjetit të furnizimit me ujë për zonën Abat- Breg Lumi, njësia administrative Shalë. Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Shkodër sh.a në kuadër të programit “Sherbimet e ujit të pijshëm dhe kanalizimeve të orientuar tek konsumatorët dhe performanca” (CPWS)/ COVID-19-IPA21, ka punuar e finalizuar projektin.


Kjo u mundësua nga financimi në vlerën prej 6 170 744 (gjashtë milion e njëqind e shtatëdhjetë mijë e shtatëqind e dyzet e katër) lekë, akorduar nga Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë, nëpërmjet GIZ Albania në formën e grantit, dhe në sajë të kontributit me anë të punimeve dhe instalimit nga stafi teknik i shoqërisë Ujësjellës – Kanalizime Shkodër sh.a.

Nëpërmjet këtij projekti është bërë e mundur, sigurimi i ujit të pijshëm për rreth 150 banorë, si dhe furnizimi me ujë i qendrës shendetësore, shkollës, njesisë administrative dhe disa bizneseve përreth.

Në sajë të zbatimit të këtij projekti synohet të ofrohet shërbimi me ujë dhe të mbështetet zhvillimi i turizmit malor të kësaj zone. Falenderoj të gjitha palët e përfshira në këtë bashkëpunim dhe mbështes bashkëpunimin për projektet e tjera.”.