Mesditën e sotme janë përcjellë në banesën e fundit Boran Bercana dhe Silva Ndoci, respektivisht 30 dhe 24 vjeç. Siç ishte paralajmëruar, familjet e dy të rinjëve kanë kryer vetëm një ceremoni mortore, nga një shtëpi në lagjen “Manush Alimani”, tek pallatet parafabrikate përballë Shkollës së Ndërtimit në Shkodër. Dhimbja është e madhe për familjarët e të njohurit dhe lotët nuk ndalen. Dëshmpërim ka edhe tek ata që i kanë njohur dy të rinjtë edhe përmes ngjarjes së rëndë.
Poshtë pallatit janë dy makina funerale që presin të nisin udhëtimin e fundit mbi këtë tokë për Boranin e Silvën. Dy trupat pa jetë hipen mbi makina dhe njera pas tjetrës, i drejtohen varrezave. Në këtë botë, ata lënë Borisin 2 vjeçar, i cili qëndroi 5 orë në makinën ku iu vranë nëna dhe babai.
Një breshëri automatiku i mori jetën dy të rinjëve në makinën e tyre, pak pas mesnatës së të shtunës. Fatmirësisht, fëmija ka dalë i padëmtuar nga kjo ngjarje por do të duhet të rritet pa patur pranë dashurinë e prindërve. /ShkodraWeb/