18.151 nxënës të arsimit parauniversitar në Bashkinë e Shkodrës, i janë drejtuar sot bankave të dijes. Nis kështu viti i ri shkollor, ku janë të angazhuar në mësimdhënie 1272 mësues, të cilët kanë përgjegjësinë edhe për monitorimin e situatës së pazakontë të krijuar në vend nga Covid-19.
Ditën e sotme, ShkodraWeb Media ka ndjekur nisjen eprocesit mësimor në gjimnazin “Jordan Misja”, një nga më të rëndësishmit në Bashkinë e Shkodrës. Që në krye të herës, duhet nënvizuar se prioritet i prioriteteve ishte respektimi i masave antiCovid për të mbrojtur shëndetin e nxënësve dhe mësuesve.
I gjithë procesi mbikqyrej nga mësues të caktuar për këtë qëllim, nën koordinimin e drejtores së shkollës Diana Ndreu. Në derën e jashtme të shkollës, një antar i personelit të sigurisë, monitoronte futjen në oborr të nxënësve, të gjithë rigorozisht me maskë. Ata rreshtoheshin sipas shenjave të vendosura më parë, duke ruajtur disatncën nxënës nga nxënësi.
Kur vinte rradha për tu futur në mjediset e brendshme të shkollës, një mësues me termometër elektronik kontrollonte nxënësit për temperaturën trupore. Në mjediset e brendshme, në klasa, çdo nxënës ulej i vetëm në një bankë, në distancë sigurie fizike, me maskë dhe jo më shumë se 12 nxënës. Dritaret e klasave, të favorizuar edhe nga kushtet e motit, kanë qëndruar të hapura për ajrosje.
Për të parë nga afër ecurinë e nisjes së procesit mësimor në Bashkinë e Shkodrës, në gjimnazin “Jordan Misja” ishte e pranishme edhe kryebashkiakja Voltana Ademi, e cila iu përgjigj edhe interesit të mediave duke dhënë një intervistë, bashkë me drejtoren e shkollës Diana Ndreu. Vlen të theksohet se, për shkak të masave antiCovid, edhe vetë mediat janë mbajtur larg mjediseve të brendshme të shkollave në Bashkinë e Shkodrës. /ShkodraWeb Media/