FOTO – Ngritja e flamurit në Deçiç dhe 110 vjetori i Kuvendit të Grecës, Meta dekoron në M.Madhe Prek Calin dhe atdhetarë të tjerë

Shkruan në Facebook Presidenti i Republikës Ilir Meta: Me rastin e 110-vjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar në Deçiç nga Heroi Ded Gjo Luli dhe të mbajtjes së Kuvendit historik të Grecës, ngjarje të rëndësishme që i paraprinë Pavarësisë së Shqipërisë, pata sot kënaqësinë e veçantë të vlerësoja në Malësinë e Madhe, trevë simbol të atdhedashurisë dhe qëndresës, katër ndër bijtë e saj më të shquar, prijësit legjendarë të lëvizjeve patriotike për mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial, Prekë Cali, Pretash Zekë Ulaj, Prekë Gjolaj dhe Kolë Maç Smajlaj.

Mirënjohje dhe nderimin më të thellë për kontributet dhe aktet trimërore, për sakrificat sublime dhe atdhetarizmin e treguar për të lartësuar Flamurin Kombëtar, që përherë do të frymëzojnë. Asgjë nuk mund ta zhbëjë patriotizmin dhe gjakun e derdhur për mbrojtjen e Shqipërisë së lirë, të pavarur dhe sovrane!