Policia në kohë të shkurtër ka mundur të arrestojë autorin e ngjarjes së rëndë që ndodhi në fshatin Kotë, në Njësinë Administrative Kotë, ku mbeti vrarë me armë zjarri kreu i kësaj njësie, Fatmir Hodaj.
Sipas Policisë autori i arrestuar është shtetasi Admir Delaj, i cili ka qenë në një tavolinë me viktimën dhe pas një debati e ka qëlluar për vdekje me çifte. Po ashtu mësohet se pas arrestimit policia i ka sekuestruar dhe armën e krimit dhe makinën me të cilën ka tentuar të largohet.
Burime bëjnë me dije se konflikti ka ndodhur për motive pronësie, por policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
NJOFTIMI NGA POLICIA
Më datë 09.11.2018, rreth orës 14:55, në një lokal në fshatin Kotë, është qëlluar me armë gjahu shtetasi F.H, (Kryetar i Njësisë Administrative Kotë), i cili për pasojë ka ndërruar jetë .
Policia ka mbritur menjëherë në vendngjarje dhe ka identifikuar autorin e ngjarjes i cili dyshohet të jetë shtetasi A.D, rreth 43 vjeç nga fshati Gumenicë .
Forcat e policisë kanë kapur autorin.