Ndërsa akoma nuk është përfunduar puna për koalicionin e Opozitës së Bashkuar për zgjedhjet e 25 prillit, një tjetër “opozitë”, ajo parlamentare apo “opozita e re”, duket se ka arritur marrëveshje. Katër parti politike, i kanë dhënë jetë një koalicioni parazgjedhor, me një emër shumë të gjatë por edhe me një akronim “AOKBPEK”.
Lajmin e ka bërë të ditur Zef Shtjefni, kryetar i Partisë Ora e Shqipërisë, përmes një postimi në Facebook. Ai ka publikuar një shkresë që i është dërguar KQZ- së, një foto të katër kryetarëve të koalicionit, duke bëtë me dije se koalicioni u arrit pas disa ditëve negociata.
“Te dashur Miq ! Pas disa dite negociatash u arrit Koalicioni Politik. Krijohet Aleanca ORA KOMBETARE -EMIGRACIONI -BASHKIMI POPULLOR DHE KONSERVATORET , per zgjedhjet e 25 Prill 2021 !”, shkruan Shtjefni në publikimin e tij.
Kryetarët e partive politike antare të koalicionit, janë deputetë aktualë, të futur në Kuvend nga listat e PD- së pasi Opozita e Bashkuar dorëzoi mandatet. Në mes firmëtarëve, janë dy shkodranë: Selami Jenihshehri dhe Zef Shtjefni, ndërsa pjesë është edhe Kujtim Gjuzi, personazh i këtij parlamenti. /ShkodraWeb Media/