Këngëarja e mirënjohur Mukades Çanga, ka fetuar sot një ditë të veçantë. Një nga emrat më të njohur të muzikës popullore shkodrane, nga dita e sotme nuk do të jetë më pjesë e “borderosë” së Teatrit “Migjeni”.
Me këtë rast, në një nga lokalet e qytetit, ajo ka ftuar kolegë, miq, të njohur adhurues të artit të saj. Mes tyre ka qenë edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi.
Madje, Ademi ka publikuar edhe disa foto, bashkë me një urim miqësor për Mukades Çangën:
“Një ditë e veçantë sot për zonjën Mukades Çanga, një nga përfaqësueset më të denja të muzikës popullore shkodrane. Urime të shumta por edhe dhurata të kolegëve, miqve, admiruesve të artit të saj!
Jetë të gjatë e shëndet, dua ti uroj në këtë ditë të rëndësishme të jetës zonjës Mukades Çanga!”, shkruan Ademi në publikimin e saj në faqen zyrtare në Facebook.
Të bindur se Mukades Çanga do të vijojë të jetë pjesë aktive e aktiviteteve kulturore, për të vijuar kontributin e saj të çmuar për muzikën popullore shkodrane, ShkodraWeb Media i uron shendet, jetë të gjatë e të lumtur! /ShkodraWeb Media/