Shpërndarja e librave shkollorë falas nga klasa e I deri në klasën e IV ka nisur edhe në Malësinë e Madhe. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, njëkohësisht dhe drejtuesi politik i qarkut ka shprërndarë librat falas për pesë fëmijë të dy familjet në nevojë në këtë zonë.
Ministri Bushati tha se kjo politikë e qeverisë do zgjerohet edhe më tej. “Këtë vit jemi përpjekur të mundësojmë libra falas nga klasa e parë në të katërt dhe për familjet me mungesë të ardhurash do të rimbursohen. Vitin tjetër do përpiqemi ta zgjerojmë sa më shumë këtë nismë, pasi edukimi është i rëndësishëm për fëmijët por dhe vendin”, u shpreh ai. Për Ministrin Bushati invetimi në dije dhe edukim bën diferencën e shoqërive të zhvilluara.
Babai i katër fëmijëve, Zoji, thotë se vitet e shkuara nuk e përballonte dot blerjen e librave për fëmijët e tij, për të cilat detyrohej të merrte borxh dhe t’i shlyente nga pak. I sëmurë prej 15 vitesh, dhe me pak të ardhura familjare ai thotë se kjo nismë ia lehtëson barrën financiare të fillim vjeshtës.
Këtë vit shkollor librat po shpërndahen falas në të gjithë vendin për fëmijët nga klasa e parë në të katërtën, por ndërkohë jepen falas edhe për fëmijët e familjeve në ndihmë ekonomike që ndjekin klasën e 5-të e lart. Shqipëria është vendi i parë në rajon që shpërndan libra falas për të gjithë fëmijët pa përjashtim.