Kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci ka pritur në ambjentet e bashkisë, fituesit e edicionit të 63-të të Festivalit të Këngës në RTSH, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca të grupit “Shkodra Elektronike”.
Kënga “Zjerm” e sjellë me mjështëri nga dyshja shkodrane bëri që e gjithë Shkodra ti mbështeste në këtë sfidë që dërgon Shkodrën në Eurovision. Kryetari i Bashkisë Benet Beci, ka uruar artistët dhe i garantuar mbështetje maksimale për pjesmarrjen e tyre ne Eurovision që do të mbahet në muajin maj në Basel të Zvicrës.
Shkodra elektronike, dhe kënga “Zjerm” fitoi zemrat e publikut shqiptar duke bërë që Shkodra në vitin 2025-s të ketë emrin e saj në Eurovision, një tjetër hap i rëndësishëm për këtë grup të krijuar në vitin 2018 që pa frikë ka sjellë revolucion në muzikën shqiptare.
Shkruan në Facebook kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci: Me Beatriçen dhe Kolën, që me Shkodrën Elektronike na bënë krenarë të gjithëve! Kënga e tyre fantastike dhe interpretimi i jashtëzakonshëm bashkuan të gjithë shkodranët për ta mbështetur Shkodrën në Eurovision.
Një emocion i papërsëritshëm dhe një mundësi e shkëlqyer për të promovuar Shkodrën në arenën ndërkombëtare. I sigurova artistët për mbështetje të pakursyer në mënyrë që përfaqësimi i tyre në maj, në Basel të Zvicrës, të jetë dinjitoz. Aty do të jenë sytë dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve!