
Lulzim Basha, rrëfen detaje të jetës së tij private. Që nga njohja me bashkëshorten e tij, Aurelën, në shkollën “Sami Frashëri”, ku ishin thjesht shokë e më pas lidhja e dashurisë në Holandë, ku ishin të dy studentë.
Por martesa është kurorëzuar në Tiranë. Pas ngacmimit që i bëhet lidhur me një puthje të gjatë në momentin e celebrimit në Bashki, siç ka rrëfyer Eda Turku që ka martuar çiftin, Basha tha se nuk mbante mend se sa kishte zgjatur puthja.
“S’e mbaj mend që ka qenë puthje e gjatë. Ka qenë ceremoni me shumë emocione për ne dhe për prindërit. Unë jam djali i madh dhe ishte ditë e ngarkuar me emocione edhe për ta. Veç të tjerash muaji para martesës ka qenë shumë i lodhshëm dhe unë kam rënë shumë nga pesha. Jemi martuar më 8 maj 2014 dhe atëherë shërbimet martesore nuk kanë qenë si tani, kur ti shkon dhe zgjedh çfarë të duash. Tani ka shërbimetë plota. Atëherë s’kishte asgjë. Kisha të ftuar 80 miq të huaj nga Holanda, Amerika dhe Kanadaja dhe përgatitjet kanë qenë të lodhshme”.
Më pas erdhën në jetë dy vajzat, e madhja, Dafina dhe e vogla, Viktoria, që do të ndryshonin kryekëput jetën e çiftit të ri, por edhe do të shtrëngonin shumë kohën që duhej ndarë mes politikës dhe familjes e siç ndodh në raste të tilla, politika arrin të marrë copën më të madhe të tortës dhe ky është pengu që Basha e rrëfen me keqardhje.
“Kur bëhesh prind gjithçka ndryshon. Kam asistuar kur ka lindur Dafina. Ishte moment shumë prekës që s’kam për ta harruar kurrë. E gjithë ekzistenca jote ndryshon. Kurse gjatë lindjes së Viktorias nuk arrita të jem aty. Aurela kishte një komplikacion serioz në muajin e shtatë të shtatzënisë. U trajtua këtu, tek materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, me Halim Kosovën dhe pastaj u zhvendos në Holandë. Unë isha në mesin e fushatës dhe nuk arrita dot të shkoj në kohë. Por shkova më vonë. Tani vajza e dytë është komandantja e shtëpisë. E them lirisht sepse nuk kam frikë se ato më dëgjojnë. Vajzat tona nuk shohin televizor”.
Me sa duket në shtëpinë “Basha” rregullat janë shumë të rrepta dhe ajo që kujdeset për mbarëvajtjen e gjithçkaje, gjatë kohës kur i zoti i shtëpisë i përkushtohet më së shumti politikës, është Aurela. Siç edhe bashkëshorti i saj tregon, ajo është shumë strikte dhe ka rregulla të forta në edukimin e vajzave të tyre.
“Dafina dhe Viktoria janë thesari i jetës sonë, por unë jam shumë defiçitar në rritjen e tyre. Ajo që urrej nga kjo punë është se më merr kohën që duhet t’i dedikoja familjes dhe fëmijëve. E kompensoj aq sa mundem në orët e mëngjesit, sepse në darkë i gjej gjithmonë në gjumë. Sipas rregullave që ka vendosur Aurela, në orën 21.00 ato duhet të jenë në gjumë”.
E ndërsa Lulzim Basha tregon për bashkëshorten, nuk mund të mos përballet edhe me pyetjen se përse gruaja e tij Aurela ka qëndruar në hije.
“Pavarësisht se jam kryetari i opozitës e një nga njerëzit më publikë në Shqipëri, mundohemi ta jetojmë jetën sa më larg politikës dhe të mos ta shfrytëzojmë jetën publike. Kjo është arsyeja se përse Aurela mban profilin e një nëne, gruaje, bashkëshorteje normale dhe jo pjesë e betejës sime politike. Ajo është ndihmë pa të cilën nuk mund t’ia dal dot. Por ka zgjedhur të mos jetë vitrinë politike. Ajo i ndjek vajzat nga mëngjesi në darkë. Shkon në takimet me prindër dhe më kompenson edhe mua”.
Dhe me siguri ndihet shumë komode kur bëhet e njohur nëpërmjet fjalëve që thotë bashkëshorti për të.
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!