
LufaPrint është një nga shembujt e suksesit të rritjes graduale të një biznesi, bazuar në talent, profesionalizëm dhe përkushtim. Lulzimi ishte shumë i ri kur, ndër të parët në Shkodër e në Shqipëri, nisi rrugën si graphic designer dhe video editor në një nga mediat e Shkodrës.
Me këmbëngulje, ditë pas dite, edhe duke guxuar, ia arriti të ndërtojë një biznes jo vetëm të qendrueshëm por edhe që rritet duke kërkuar edhe punonjës në profile të ndryshme, shkruan ShkodraWeb.
E gjithë kjo, duket se ka tërhequr edhe vëmendjen e deputetit Benet Beci, i cili ka bërë një vizitë në këtë biznes, ku përmes një publikimi me foto në rrjetet sociale, shkruan:
“Me miq e bashkëpunëtorë shkuam të vizitonim mjediset e punës së LufaPrint. Kënaqësi e motivim me u taku me Lulin dhe stafin e tij, të gjithë të rinj e të përkushtuar për të treguar kujdes në detaje e për të nxjerrë në pah më të mirën e kujtdo që ua beson imazhin.”.
LufaPrint tashmë ka kaluar kufijtë e Shkodrës, e në jo pak raste, edhe të Shqipërisë, si një realitet që tregon se në këtë vend ka akoma shpresë, sidomos për të rinjtë që duan të ndërtojnë jetën në vendlindje.