15 korriku në Njësinë Administrative Pult të Bashkisë së Shkodrës përkujtohet prej disa vitesh si dita e dëshmorëve të Dukagjinit në luftën e 1915- ës kundër pushtuesve malazezë. Sivjet kjo ditë hyri në traditë si pjesë e nismave të Bashkisë Shkodër për promovimin e territorit. “Pulti n’Fest” shënoi vetëm episodin e parë sot, ndërsa do të hyjë në axhendën e aktiviteteve të përvitshme të Bashkisë së Shkodrës.
Pas një udhëtimi në një rrugë që është bërë e kalueshme vetëm përmes punës disa javore të një fadrome të Bashkisë së Shkodrës, arrijmë në Gjuraj të Planit, aty ku është ngritur memoriali në përkujtim të dëshmorëve të luftës së 1915- ës. Gjithëka nis me nderimin për ata, duke vendosur kurora me lule dhe bërë homazhet e rastit. Sepse për banorët e zonës, kjo ngjarje është shumë e rëndësishme.
Më pas përshendetjet e rastit nga administratori i NJA Pult Tom Marku, kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, përfaqësues të Shoqatës “Dukagjini”, intelektualë të zonës etj. Një program artistik bazuar në traditat e zonës, i lë vendin panairit të produkteve të zonës, të cilat janë të gjitha bio. E në fund, atë që kanë përgatitur për mysafirët banorët e zonës në fushën e kulinarisë, e shijojnë të gjithë bashkë.
Një etapë e veçantë e kësaj dite, ishte edhe vizita në vendin ku buron lumi Kir. Një rrugëtim në këmbë, por që harron lodhjen i rrethuar nga bukuritë mahnitëse të natyrës por mbi të gjitha, nga bujaria dhe mirësjellja ekzemplare e banorëve të Pultit. Kthimi për në Shkodër sërish në të njëjtën rrugë, por që të duket më e shkurtër kur shofer është Petrit Dushaj, i sprovuar edhe si shoqërues i turistëve të huaj në këtë zonë e më gjërë.