
Elion Semanaj është larguar nga posti i drejtorit të Përgjithshëm të Hipotekës dhe në vend të tij është emëruar kreu i hipotekës së Tiranës, Valdrin Pjetri.
Semanaj qëndroi në krye të Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për 6 muaj, duke zëvendësuar Blerina Doracajn, e cila qëndroi në këtë detyrë 5 muaj. Gjatë periudhës që Semanaj drejtoi Hipotekat ka ekzekutuar disa denoncime penale për punonjës të hipotekave që janë kapur në shkelje të ligjit dhe abuzime korruptive.
Janë mbi 80 punonjës të hipotekave në të gjithë vendin që janë shkarkuar si nga hetimi i brendshëm administrativ ashtu dhe nga denoncimet e qytetarëve në platformën e bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al. Detyra e mëparshme e Semanajt ishte ajo e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
Motivi i kësaj lëvizje duket se ka qenë impulsi i ri që kërkohet në zyrat e hipotekave në të gjithë vendin, ku edhe ankesat e qytetarëve janë më të mëdha. Ministrja Gjonaj ka vlerësuar punën e mirë të Valdrin Pjetrit në krye të hipotekës së Tiranës gjatë pesë muajve që ai drejton këtë degë, duke e emëruar atë në krye të zyrës qendrore të hipotekës.
Valdrin Pjetri ka mbajtur disa detyra drejtuese në ministrinë e Mbrojtjes që nga viti 2014. Ai ka qenë Drejtor i Përgjithshëm Rregullator dhe i Përputhshmërisë në Fushën e Mbrojtjes, Drejtor i Përgjithshshëm i Shërbimeve Mbështetëse dhe Drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Aseteve në Ministrinë e Mbrojtjes. Ai ka drejtuar me sukses për 3 vjet në Ministrinë e Mbrojtjes procesin e demontimit të municioneve.
CV e drejtorit të ri të Hipotekës Valdrin Pjetri
Arsimimi:
2003-2007 Universiteti i Tiranës, fakulteti Ekonomik, Dega Financë
2009-2011 UET, Master i nivelit të 2, për Lidership dhe Menaxhim.
Experienca pune:
2010-2014 Administrator tek Agjencia e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (ligji Anti Mafia dhe financim terrorizmi)
2014-2015 Drejtor i Drejtorisë së Pronave në Ministrinë e Mbrojtjes
2015-2018 Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse në Minitrinë e Mbrojtjes
Janar 2018 – Maj 2018 Regjistrues në ZVRPP Tiranë
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!