Lajme mjaft të mira dhe shpresëdhënëse vijnë nga Spitali Infektiv, pasi gjashtë pacientë kanë lënë spitalin. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë, e cila njofton se në total numri i të shëruarve ka shkuar në 31, përfshirë këtu ata që kanë qenë në spital dhe ata që janë vetëizoluar.
“Gjashtë pacientë kanë lënë ditën e sotme spitalin Infektiv në QSUT, të shëruar nga CO VID-19. Pas testit konfirmues në Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, nga i cili kanë rezultuar negative për CO VID-19 mbrëmjen e djeshme, sot 6 pacientë të shtruar në Infektiv janë kthyer në shtëpi. Në total deri tani janë 31 të prekur nga CO VID-19 (në spital dhe të vetëizoluar) të cilët janë shëruar. Pacientët e shëruar duhet të qëndrojnë të vetëkarantinuar edhe për 14 ditë të tjera”, njofton Ministria.
Lidhur me këtë lajm ka reaguar edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nëpërmjet një postimi në Facebook.
“Lajm i mirë
Gjashtë pacientë kanë lënë sot spitalin infektiv të shëruar nga COVID-19 Deri tani 31 qytetarë e kanë fituar betejën me sëmundjen e vështirë
FORCA ekipit të mjekëve të Infektivit”.