
Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Policinë e Shtetit Lutfi Minxhozi doli ditën e sotme para medias për të njoftuar se në sajë të operacioni “Ranishtja 2”, është bërë i mundur shkatërrimi i një grupi të mirëorganizuar që merreshin me tjetërsimin e pronave në zonën e Spilles në Kavajë.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me prokurorinë e Kavajës, kanë arrestuar ditën e sotme 8 zyrtarë publik, ndërsa janë shpallur në kërkim edhe dy të tjerë.
Siç bëhet me dije të arrestuarit janë Asim Arkaxhiu, 44 vjeç, ish drejtori i ZVRPP, Aldo Kila, 27 vjeç, me detyrë Jurist në Z.V.R.P.P, Kavajë, Shpendi Dema, 31 vjeç, Jurist në Bashkinë Rrogozhinë, Arben Daja, 51 vjeç, me detyrë Sekretar dhe Protokollist në Bashkinë Rrogozhin.
Ndërsa, gjykata e Kavajës ka dhënë masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, për Julian Zhelegu, 44 vjeç, Noter pranë dhomës së Noterisë Tiranë, si dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” për Beqir Nuredini, Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë.
Nga hetimet e bërë nga prokuroria dhe policia ka rezultuar se ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke abuzuar me detyrën kanë falsifikuar dokumentet, duke bërë ndryshim e zërit kadastral për një siperfaqe prej 11.000 m2 tokë në vijën bregdetare Spille Kavajë dhe në fshatrat përreth, duke e tjetërsuar nga “Tokë pa frut” në tokë “Are” dhe më pas kanë bërë ndarjen në mënyrë të kundërligjshme të kësaj sipërfaqeje toke, në interes të tyre dhe personave të tjerë.
Gjatë hetimeve paraprake, policia sqaron se është dokumentuar bashkëpunimi kriminal midis ish-punonjësve të Bashkisë Rrogozhinë, të Komunës Kryevidh, dhe punonjësve tê ZVRPP Kavajë.
Mësohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kanë krijuar në mënyre fiktive komisione për ndarjen e tokës gjatë periudhës 2015-2017 dhe kanë realizuar tjetërsimin dhe ndarjen në mënyrë të jashtëligjshme të pasurisë shtetërore, e cila ishte tokë shtetërore pa fryt në vijën bregdetare, duke e tjetërsuar në tokë are, duke e ndarë në interes të tyre dhe personave të tretë.
Përpara se të përpilonin certifikatat e pronësisë, fillimisht zyrtarët e proceduar identifikonin banorët e mirëbesuar, të cilët do të përfitonin padrejtësisht tokën.
Me pas identifikohej blerësi dhe pas këtyre veprimeve bëhej regjistrimi i menjëhershëm në hipotekë, si dhe akti i shitblerjes së pasurisë. Këto akte, në shumicën e rasteve, bëheshin pa u vënë në dijeni banorët në emrat e të cilëve përpiloheshin dokumentet e pronësisë.
Policia e Shtetit ka bërë me dije se vazhdon puna për identifikimin zyrtarëve e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet Kriminal.
Interviste e Beqir Nuredit me datë 16.06.2015
Aleanca për Shqipërinë Europiane ia ka be suar Rrogozhinën, njërit prej djemve më të suksesshëm të këtij qyteti. Beqir Nuredini, me një plan ambicioz për shndërrimin total të zonës ku kandidon si kryetar bashkie, tregon në këtë intervistë problematikat e Rrogozhinës, komunave dhe fshatrave si dhe zgjidhjen e argumentuar për secilën. Sipas tij, kjo zonë e lënë totalisht në harresë, me punë e vullnet do të lulëzojë në më pak se dy vjet.
Nuredini ka vendosur që punën për Bashkinë e re të Rrogozhinës ta fillojë nga bujqësia, duke zgjidhur njëherë e mirë problemin e kanalizimeve me një plan konkret të mirëmenduar. Ai premton ndryshime dhe përmirësim në infrastrukturë, shkolla, spitale. Zotohet se do të impenjohet seriozisht në tërheqjen e ndërmarrjeve fasone, në mbështetje të biznesmenëve të rinj, në rindërtimin e pjesës turistike dhe ndryshimin e Rrogozhinës, duke i dhënë pamjen e një qyteti të mirëfilltë, duke e çuar më në fund në drejtimin e duhur.
Nuredini, na flisni pak për veten tuaj, cila është lidhja juaj me Rrogozhinën?
Unë kam lindur në Rrogozhinë e kam jetuar këtu deri në moshën 15- vjeçare. Të gjitha kujtimet e mia të fëmijërisë i kam të lidhura me Rrogozhinën. Me pak fjalë, çdo gjë që lidhet me fëmijërinë time, lidhet në mënyrë të natyrshme me Rrogozhinën. Aktualisht jetoj në Tiranë, atje merrem me disa biznese të ndryshme. Shkollën e mesme e kam kryer për grafik- desing, ndërsa shkollën e lartë për drejtësi në Fakultetin Juridik.
Prej sa kohësh jeni bërë pjesë e politikës shqiptare?
Jam zgjedhur anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës në zgjedhjet lokale të vitit 2011, ku kam mbajtur pozicionin e nënkryetarit të grupit të këshilltarëve të PDIU-së dhe anëtar i Komisionit të Ekonomisë. Jam kujdesur që implementimi i buxhetit të kryeqytetit të shkojë në përputhje me nevojat jetike të zhvillimit ekonomik të Tiranës, duke mbajtur si busull orientuese kohezionin social-ekonomik të banorëve të kryeqytetit. Kam qenë pjesë e bisedimeve dhe përkrahës i fortë për ndarjen e re territoriale, ku fokus të veçantë për mua ka pasur Bashkia Rrogozhinë.
Si e shihni ju Rrogozhinën e sotme, çfarë do donit të ndryshonit?
Unë kam lindur dhe jam rritur këtu dhe asnjëherë nuk jam larguar realisht nga Rrogozhina. Sa herë që kam ardhur, kam ndjerë nostalgji dhe gjithmonë kam thënë se Zoti është treguar bujar me këtë zonë, i ka dhënë të gjitha burimet natyrore, kodrat, lumin, detin, fusha që dikur prodhonin me kapacitet të plotë, ndaj them me bindje se këtu ka potenciale të jashtëzakonshme për të bërë punë shumë të mira dhe unë premtoj se do të kem angazhimin maksimal për ta rikthyer Rrogozhinën në vendin që meriton të jetë.
Rrogozhina gjeografikisht është në qendër të Shqipërisë dhe unë do të angazhohem maksimalisht që të jetë edhe në qendër të vëmendjes së pushtetit qëndror dhe investimeve të huaja, do të bëj të mundur që të gjitha këto resurse që ka, t’i vendosim në funksion të zonës dhe banorëve të Rrogozhinës.
A janë shfrytëzuar këto potenciale ndër vite sipas jush?
Gjatë këtyre dy muajve kam parë nga afër të gjitha komunat e thuajse të gjitha fshatrat. Për fat të keq kjo zonë është lënë në harresë nga politika, jo për shkak të vullnetit të njerëzve, por për shkak të politikës me dy standarde dhe në rastin e Rrogozhinës, politika e vjetër i ka lënë totalisht në harresë i ka lënë pa shërbime, pa përkujdesje. Askush nuk është interesuar të dijë se çfarë bëjnë këta njerëz, se çfarë problemesh kanë dhe se si jetojnë.
Kam takuar pafundësisht banorë të Rrogozhinës, njerëz të mirë, të dashur, që realisht nuk meritojnë të jetojnë në këto kushte. Për ta mund të bëhet vërtetë shumë. Kam marrë garancitë nga kryeministri dhe qeveria shqiptare se do t’i kushtojmë një vëmendje të veçantë bashkisë. Nëpërmjet bashkëpunimit të qeverisë vendore dhe qendrore do e ndryshojmë historinë e Rrogozhinës. Më konkretisht, cilat janë problemet e këtyre banorëve? Nga dëgjesat që kam bërë me banorët, pjesa më e madhe e problemeve që kanë ndarë me mua janë krejtësisht të zgjidhshme me vullnet.
Emërues i përbashkët i zonave rurale është sistemi kanalizimeve, problem për të cilin e kam një zgjidhje dhe me një kosto minimale. Ndërtimi i një parku mjetesh, i cili do të rikthejë të gjithë sistemin e kanalizimeve dhe rrugët e parcelave në gjendje optimale brenda 20 muajve, në zonat urbane mungon infrastruktura thuajse ngado. Nivel i lartë i papunësisë dhe për pasojë edhe vështirësi të mëdha ekonomike. Një pjesë e tyre kanë nevojë për mbështetje financiare që do të zgjidhet me ndihmën e qeverisë. Pjesa tjetër e problemeve është totalisht e zgjidhshme me punë nga Bashkia e Rrogozhinës.
Cili është plani juaj për zgjidhjen e problemeve që ka në këtë zonë? E zëmë se sot jeni kryetar bashkie, nga do të fillojë puna?
Puna do të fillojë nga bujqësia. 70% e zonës është bujqësore, aty ku është edhe punësimi në masë. Problemet më të mëdha që kanë banorët këtu janë kanalizimet dhe uji, pra vaditja dhe kullimi. Prej këtu do të fillojë puna. Siç thashë edhe më sipër, do të ndërtohet një ndërmarrje e posaçme pranë Bashkisë së Rrogozhinës me të gjitha mjetet e nevojshme, kamionë, ekskavatorë, traktorë etj. Kam bërë dhe një preventiv paraprak që shkon rreth 200 mijë euro, investim që për bashkinë e re është një shumë e përballueshme e ndërkohë do të zgjidhë të gjithë problemin e kanalizimeve, por edhe të mirëmbajtjes.
Në Bashkinë e re të Rrogozhinës ka 150 kilometra kanale vaditëse dhe kulluese, prej informacionit që kam marrë nga specialistët, me mjetet që kemi planifikuar të vendosim në dispozicion, problematika zgjidhet për një vit e gjysmë. Brenda kësaj kohe sistemi i kanalizimeve dhe rrugët kryesore të parcelave ku sot nuk kalojnë as kafshët e jo më mjetet e punës, do të kthehen në gjendje optimale. Do të bëjmë një zyrë në bashki që të asistojnë në hartimin dhe zbatimin e projekteve në mbështetje të prodhuesve në bujqësi, fermerëve, bashkërendim në sektorin e turizmit dhe mbështetje për bizneset e reja.
Probleme ka në infrastrukturë, në rrugë etj., të cilat kërkojnë zgjidhje dhe zgjidhja për këto është bashkëpunimi i ngushtë me qeverinë dhe partnere të tjerë ndërkombëtarë. Problem tjetër shumë serioz që kam konstatuar është mungesa e transportit publik. Këtu fëmijët ecin çdo ditë me kilometra për të shkuar në shkollë, fëmijë të 9- vjeçares apo gjimnazit që ecin me kilometra në ditë si në dimër e në verë. Ka nga ata që janë shumë të varfër e s’kanë mundësi të paguajnë as 50- lekëshin e furgonëve. Ajo që do të bëj është ndërtimi i një rrjeti urban, i cili do të ofrojë shërbim falas për nxënësit dhe pensionistët.
Do të ndërtojmë një itinerar se si duhet të kalojnë autobusët në të gjithë zonën për t’u ardhur në ndihmë nxënësve dhe për të integruar zonat rurale me ato urbane. Do të bëj një binjakëzim të Bashkisë Rrogozhinë me bashki të tjera të fuqishme. Nuk do t’i kërkojmë fonde në euro, dollarë apo valute tjetër, por ndihma në mjete. Jam i bindur që bashkitë në vende të zhvilluara janë të gatshme të japin ndihmë në mjete kur ti arrin t’i pasqyrosh qartë realitetin dhe nevojën.
Projektet për sa i përket punësimit, cilat janë?
Bashkia e Rrogozhinës gjeografikisht ka një pozicion të jashtëzakonshëm. Teksa në të gjithë Shqipërinë ka ndërmarrje fasone, vetëm në këtë zonë mungojnë. Kjo, sepse askush nuk është interesuar që të huajt të vijnë të Beqir Nuredini, kandidat i ASHE për Rrogozhinën, gjatë momentit të prezantimit Posteri elektoral i Beqir Nuredinit, kandidat i ASHE për Rrogozhinënkëtë zonë. Ndërkohë që ka nevojë të madhe për punë dhe kompanitë fasone janë burim punësimi në masë.
Si fillim, unë bashkë me stafin do të bëjmë një listë të dhënash për të nxjerrë se sa fuqi punëtore ka në të gjithë zonën, sa burra, sa gra, sa të rinj e të reja, sa të shkolluar, e sa me profesione. Do të ndërtohet një material i plotë me mundësitë që ofron bashkia. Tarifat e taksat do t’i ulim në maksimumin e mundshëm për aq sa parashikon ligji, për kompani të kësaj natyre dhe për çdo sipërmarrje të re që krijon vende pune. Ky material do të prezantohet në dhomat e tregtisë së disa shteteve që kanë investitorë, do të bëhemi pjesë e dhomave të tregtisë.
Do të dërgojmë një material të plotë në ambasadat e huaja mbi mundësitë që ne kemi për të afruar kompani eksporti. Jemi gjysmë ore nga porti më i madh në vend, një orë distancë nga aeroporti, një orë nga kryeqyteti, kemi fuqi punëtore, pra i plotësojmë të gjitha kushtet për të afruar ndërmarrjet fasone. Ajo që kam ndërmend të bëj tjetër në bashki, është një fond garancie për ata që kanë ide për të zhvilluar një biznes privat, e bëj me dëshirën më të madhe, pasi besoj se këtu ka shumë ide se si banorët mund të zhvillohen dhe integrohen, por nuk kanë mjetet financiare për t’ia dalë.
Veç këtyre, prej vitit ‘90 të gjitha bashkitë e vendit kanë marrë financime dhe grante nga donatorë të huaj. Këtu te ne nuk ka qoftë edhe 1 cent të vetëm. Financimet nuk mund të vijnë e të na kërkojnë ne, por duhet të jetë bashkia e aftë për të thithur grante nga donatorë të huaj nëpërmjet projekteve konkrete dhe aplikimeve për fonde pranë tyre. Në bashkëpunim me qeverinë shqiptare do të trokasim në të gjitha institucionet ndërkombëtare, dhe unë tashmë kam bërë gati një listë të gjatë të tyre. E gjithë Shqipëria të njëjtat halle ka, ajo që duhet të bëjmë është të trokasim në dyert e duhura për të zgjidhur problematikat e bashkisë tonë.
Po për qytetin e Rrogozhinës, çfarë planesh keni?
Sa i përket qytetit, investimet e qeverisë shqiptare sot janë përqendruar në zhvillim urban dhe turizëm. Rrogozhina është kjo që është, por vetëm qytet i mirëfilltë urban nuk mund të quhet. Shohim që të gjitha qytetet përreth si Kavaja, Lushnja e Elbasani kanë ndryshuar tërësisht dhe kjo vetëm në 18 muaj qeverisjeje dhe bashkëpunim me qeverinë qendrore.
Do të nisim nga projektet e zhvillimit urban, rrugë, infrastrukturë, ndriçim, përfshirë dhe rrugicat e lagjeve, parqe e lulishte për të vegjëlit e moshën e tretë, kanalizimet, pra zhvillim urban në tërësi. Realisht për të realizuar këtë nuk ka nevojë për vlera të mëdha financiare, se është vend i vogël dhe unë kam marrë të gjitha garancitë nga kryeministri se do të kem mbështetjen e tij maksimale për ta kthyer Rrogozhinën në një qendër urbane të mirëfilltë. Tani flasim pak për pjesën turistike të Rrogozhinës.
Si është gjendja e plazheve dhe çfarë pune duhet bërë për to?
Vija bregdetare që përfshihet në Bashkinë e Rrogozhinës fillon nga derdhja e lumit Shkumbin deri në Domën, janë rreth 15 kilometra bregdet. E kam vizituar nga afër pjesën bregdetare dhe kam hasur probleme nga më të ndryshmet. Në Spille akoma sot nuk ka ndriçim, ka probleme me ujin, pastrimi është në gjendje katastrofike, rruga për të dalë deri në det, megjithëse është bërë vonë, ka rrëshqitje dhe s’është e rregullt.
Zona bregdetare duhet parë në tërësi, investimet që unë kam premtuar dhe që janë të domosdoshme për t’u realizuar janë, përfundimi i rrugës i lënë në mes nga Vilë-Bashtova deri në bregdet, rreth 1 kilometër. Do të ndërtojmë rrugën vertikale nga derdhja e Shkumbinit deri në fshatin Domën, që përshkon të gjithë vijën bregdetare që ka Bashkia e re Rrogozhinë. Detyrimi i bashkisë është të sigurojë infrastrukturën, ujin, dritat, trotuaret.
Pa diskutim duhet edhe impianti i përpunimit të ujërave. Këto do të realizohen mbi bazën e një plani zhvillimi në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Turizmit dhe Ministrinë e Turizmit. Kjo do të bëjë që të dhjetëfishohen mundësitë dhe vlerat e të gjitha pronave.
Le të flasim pak edhe për rininë. Ju jeni vetë shumë i ri në moshë, në takimet me djemtë dhe vajzat e Rrogozhinës, çfarë i keni premtuar atyre?
E para që do të na duhet të bëjmë për rininë e kësaj zone, është të rrisim kuotat e bursave për nxënësit ekselentë, jo vetëm sepse zona vetë është e varfër, por edhe për t’i stimuluar të rinjtë drejt edukimit. Do ndërtojmë parqe e kënde sportive. Sa u përket këndeve sportive, kam premtuar rehabilitimin e të gjitha ambienteve sportive në shkolla, në mënyrë që të rinjtë të kenë forma alternative argëtimi. Do të krijojmë qendra rinore dhe social- kulturore me shtrirje në të gjithë zonën, në mënyrë që të integrojmë zonat rurale me ato urbane.
Sa mendoni se do e keni mbështetjen e qeverisë shqiptare për të realizuar planet e projektet tuaja për Rrogozhinën?
Tashmë është vërtetuar që qeveria shqiptare ka përqafuar të gjitha projektet reale dhe idetë interesante që çojnë në zhvillimin e vendit. Për këtë mund të marrim fare mirë shembullin e Kavajës, ku me mbështetjen e qeverisë dhe me projektet e duhura, një qytet mund të zhvillohet dukshëm. Kam marre premtimin e kryeministrit se do kemi mbështetje maksimale dhe se brenda dy viteve do ta ndryshojmë pamjen e Rrogozhinës.
Nga takimet që keni pasur me qytetarët, si ju duket, sa ju njohin dhe ju duan ata? Përgjatë dy muajve jam takuar me shumë njerëz. Jam ulur e kam biseduar me ta për problemet që kanë. Më kanë pritur me dashamirësi, më kanë pritur si djalin e tyre dhe reagimet kanë qenë në mënyrë absolute pozitive. Unë nuk vij nga politika, vij nga biznesi dhe administrimi i një sipërmarrjeje të suksesshme, flas të njëjtën gjuhë me ta dhe mundohem të gjej zgjidhje dhe të jem pranë tyre.
Pse në 21 qershor, banoret e Rrogozhinës duhet të votojnë për ju? Cili është mesazhi që u drejtoni?
Bashkia e Rrogozhinës ofron mundësi të reja zhvillimi urban, turistik, infrastrukturor, bujqësor dhe këto bëhen duke pasur edhe mbështetjen e qeverisë shqiptare. Kërkoj mbështetjen e banorëve dhe votat e tyre, sepse kam treguar që kam eksperiencë në administrim.
Gjatë fushatës kam premtuar projekte duke argumentuar edhe formën e zgjidhjes apo të zbatimit për secilin. Aktualisht kam të mundur nisjen e një bashkëpunimi me kompani të mëdha interesuara të ndërtojnë linja prodhimi për bujqësinë nga prodhimtaria në terren, deri te pastrimi, ambalazhimi dhe eksporti. Janë të gatshëm menjëherë të fillojnë punë duke nisur nga 200 deri në 1 mijë hektarë tokë.
Kjo është realizuar përmes marrëdhënieve ndërpersonale, megjithatë një bashki nuk mund të funksionojë vetëm me raportet e mira që mund të ketë kryetari i saj me investitorë të huaj. Kam marrë garanci nga kryeministri që do të kemi mbështetjen e plotë të qeverisë. Besoj që me shumë punë dhe vullnet do të zgjidhim pjesën më të madhe të problemeve. Kërkoj votat e banorëve, sepse kjo është alternativa më e mirë për ta çuar Rrogozhinën në drejtimin e duhur.







