FOTO – Kontribut në përballimin e pandemisë, Qarku Lezhë nderon me “Mirënjohje” 6 mjekë lezhjanë…

Nga marsi i vitit 2019 bluzat e bardha në Spitalin Rajonal të Lezhës, Shërbimit dhe qendrave shëndetësore kanë dhënë kontribitin e tyre për të përballuar situaten e krijuar si pasojë e pandemisë Covid 19.

Referuar faqes zyrtare të Këshillit të Qarkut Lezhë, mësohet se 6 mjekë dhe infermierë janë vlerësuar për kontributin e tyre me çmimin e nderit ” Mirënjohja e Qarkut Lezhë”.


Këtë të enjte me inisiativen e Kryetarit të Këshillit të Qarkut Lezhë Agron Ivani, është zhvilluar ceremonia e dorëzimit të titullit të nderit “Mirënjohja e Qarkut Lezhë”, për punën e kontributin shembullor, përkushtimin e profesionalizmin që bluzat e bardha të trupës shëndetësore të qarkut Lezhë, kanë dhënë e po japin çdo ditë, në shërbimin e kujdesit shëndetësor por sidomos në sprovën e fundit në luftë me betejen Covid -19″ për :

Dr. Martin Marku, Mjek Infeksionist, pranë Spitalit Rajonal Lezhë
Dr. Edmond Zefi, Mjek Imazherist , Shef i Shërbimit Imazherisë, pranë Spitalit Rajonal Lezhë
Dr. Geraldina Zuna, Mjeke urgjence, pranë Spitalit Rajonal Lezhë
Znj. Diana Përdedaj, Infermiere në Shërbimin e Mjekësisë së Përgjithshme, pranë Spitalit Rajonal Lezhë
Z. Bardhok Lala, Infermier në Lagjen “Skenderbeg”, Qendra Shëndetësore Lezhë
Dr. Anila Lleshi, Mjeke dhe Drejtuese e Qëndres Shëndetësore Mamurras.

Në këtë ceremoni morën pjesë drejtues të pushtetit vendor si edhe bluzat e bardha. Nënkryetarja e Këshillit të Qarkut Lezhë Marte Simoni deklaroi se: “Ishte vota unanime e të gjithë trupës vendimarrëse të Këshillit të Qarkut Lezhë që vlerësuan dhe lartësuan punën dhe kontributin e jashtëzakonshëm e mjekëve e infermierëve në menaxhimin e situatës së pandemisë në qarkun e Lezhës”.

Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, njëkohësisht edhe si anëtar i Këshillit të Qarkut Lezhë shprehu falenderimet e mirënjohjen për çdo mjek e infermier e veçanërisht çmoi sakrificat e atyre që ishin në vijën e parë të frontit kundër Covid -19, duke vënë në rrezik edhe jetën e tyre, ju uroi shëndet e jetë të gjatë në shërbim të qytetarëve të qarkut Lezhë.

Gjithashtu drejtorja e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Lezhe, Dr. Zojë Zefi falenderoi edhe ekipin e madh të vaksinatorëve të Lezhës dhe bëri thirrje për vaksinim.
Zevendësdrejtorja e Spitalit Rajonal Lezhe, Dr. Valbona Prenga duke falenderuar Këshillin e Qarkut Lezhë për vlerësimin nënvizoi faktin se spitali i Lezhës ka përballuar një fluks të lartë pacientësh me një gadishmëri dhe angazhim maksimal.

Kryetari i Këshillit të Qarkut Lezhë, Agron Ivani falënderoi ekipin e madh të mjekëve, infermierëve, epidemiologëve, laborantëve në të gjithë territorin e qarkut Lezhë, për sakrificën e tyre të pashoqe, që punuan ditë e natë, pa u lodhur për t’u kujdesur për pacientët e tyre. “Respekt e mirënjohje gjithmonë për punën tuaj, Faleminderit për çka bëni cdo ditë për ne”, tha ai.

Po ashtu në këtë ceremoni iu dha titulli i Nderit “Mirenjohja e Qarkut Lezhe”, Dr. Naim Hajdari, mjek ORL, i cili per 45 vite ka dhënë kontribut të jashtzakonshëm në sistemin shëndetësor të Qarkut Lezhë. Ndonëse doktor Naimi është sot në pension, vazhdon të kontribuojë me përkushtim sa herë është e nevojshme në shërbim të njerëzve dhe shëndetit të tyre. /Nga Lindita KOKAJ/