Një ditë pasi kryeministri Edi Rama ka siguruar qytetarët se në Shqipëri, nuk do të ketë monopol basteve online dhe se për to nuk ka më shpëtim, kompania Bastarena ka publikuar në faqen e saj një mesazh, për klientët, ku i siguron se ata do të jenë të vetmit në treg edhe pas 1 janarit 2019. Rama shkruajti të dielën në Twittet se baste dhe monopoli online do të vdesin Vitin e Ri, madje i ka treguar dhe “gishtin e mesit” kompanive të basteve.
“Paratë e zeza të basteve po derdhen kazaneve për të jashtëqitur llafin se kjo u bëka që të mbetet një monopol online! Këtë për çudi s’e paska Taulanti. Mos u lodhni kot, bastet s’i shpëtoni dot më! Edhe bastet edhe ky monopoli online do vdesin për Vit të Ri. Amanet dëshmitarin X”, ka thënë kreu i qeverisë
Por shqetësimit klientëve, Bastarena shkruan se ajo është e vetmja kompani e licencuar për lojërat e fatit online dhe se nuk preket nga ndryshimet ligjore.
“Në zbatim të masave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, duke filluar nga data 1 Janar 2019 do të pushojnë së funksionuari të gjitha kazinotë elektronike si dhe pikat e basteve/llotove, përveç atyre online.
Bastarena si e vetmja kompani e liçensuar e lojrave te fatit online, nuk preket nga këto ndryshime ligjore. Bastarena ju siguron se llogaritë tuaja janë plotësisht të sigurta dhe ju fton të luani dhe argëtoheni në faqen tonë zyrtare bastarena.com. Faleminderit!”, shkruan Bastarena.