Çmimi ‘Vula e Paqes’ iu dorëzua sot Kardinalit Shqiptar Ernest (Simoni) Troshani. Cmimi iu dorëzua kardinalit Troshani, në një ceremoni të organizuar me këtë rast, nga kryebashkiaku i Firenzes, Dario Nardella.Ceremonia u organizua në në sallonin e Cinquecentos në Palazzo Vecchio. Çmimi ‘Vula e Paqes’ e kanë mbajtur gjithashtu edhe Papa Gjon Pali II, Mihail Gorbaçov e Dalai Lama.
I pranishëm në takime, deputeti i Shkodrës Tom Doshi përcjell përshtypjet e tij, duke e shoqëruar postimin në Facebook edhe me disa foto. Doshi shkruan: “Në ditën e Gjithë Shenjtënve në Katedralen e Firences kremtuem 90-vjetorin e martirit të gjallë të Kishës katolike, Kardinal Ernest Simonit, i cili mbetet gjithmonë ai prifti i thjeshtë e i përvujtë që pajton zemrat e njerzve pa dallim fejet me njeni-tjetrin dhe me Zotin.
Kardinal Betori, miku dhe mbështetsi i tij i madh e quejti kardinal Simonin dhuratë e madhe për qytetin e Firences dhe dëshmitar i vlerave të fesë. Papa Françesku në mesazhin e urimit që u lexue në kishë dhe në bekimin e tij apostolik vuni në pah meritat dhe përkushtimin e imzot Ernest Simonit ndaj Kishës dhe popullit të tij.
Qyteti i Firences i dha Kardinalit tonë “Vulën e Paqës”, nji nderim që i asht ba deri më sot Papës Gjon Pali II, Gorbaçovit dhe Dalai Lamës. Nderimi i figurës së Kardinal Ernest Simonit asht nderimi që i bahet Shqipnisë. Urime Dom Ernest, krenohemi me ty, të paçim gjithmonë!”, shkruan Doshi.