FOTO – Kampioni Erkand Qerimaj nderohet nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skenderbeu”

Një emër i mirënjohur jo vetëm i peshëngritjes por edhe i sportit shqiptar në përgjithësi. Pas 20 viteve karrierë fantastike, shumë tituj e medalje brenda e jashtë vendit, Erkand Qerimaj merr edhe një vlerësim nga shteti shqiptar.

Presidenti i Republikës Ilir Meta, e ka nderuar kampionin shkodran me urdhrin “Gjergj kastrioti Skenderbeu”. Ceremonia është zhvilluar në Presidencë, ndërsa lajmin e ka dhënë vetë kampioni Qerimaj në Facebook.


“Një ditë shumë e lumtur! Pas shumë viteve punë, mund e sakrifica e 20 vite me medalje mesdhetare, europiane, botërore, bashkuar me ngritjen dhe nderimin e Flamurit Kombëtar në arena ndërkombëtare!

Falenderoj Presidentin e Republikës Ilir Meta për dekorimin me dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skenderbeu”! Jam shumë i nderuar të mbaj këtë dekoratë”, shkruan Qerimaj.

Është një vlerësim mëse i merituar për një sportist elitar, i cili nisi rrugëtimin nga Shkodra në moshë shumë të re me tituj ndërkombëtarë e që tashmë e vijon në Tiranë, duke sjellë trofe të shumta për Shqipërinë. /ShkodraWeb/