29 vjet nga rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha, moment që pasoi lëvizjen studentore, Forumi Rinor i Partisë Demokratike organizoi një protestë në sheshin para kryeministrisë. Të rinj e të reja, kryesisht studentë, iu përgjigjën thirrjes së FRPD dhe u bashkuan në këtë protestë, që megjithëse përkujtimore, përcolli mesazhe lirie e demokracie, në një kohë kur vendi është sot i keq qeverisur, ku rinia vuan mungesën e shkollimit cilësor dhe mundësinë e punësimit dhe të një jete normale.
Në fjalën e tyre të rinjtë që morën fjalën në protestë thanë se edhe sot pas 29 vitesh, ka ende buste për tu rrëzuar dhe thirrja që shoqëroi rënien e diktaturës, Liri-Demokraci, mbetet edhe sot aktuale. Folësit sollën edhe aktualitetin e rinisë sot që po detyrohet të braktisë vendin në kërkim të një jetë më të mirë, pasi Shqipëria për shkak të keqqeverisjes nuk ua ofron këtë. Sipas tyre, Edi Rama dhe qeveria e tij ka vr.a.rë shpresën e të rinjve dhe të gjithë shqiptarëve. Kryetari i FRPD, Belind Këlliçi në fjalën e tij tha se pas 29 vitesh, ka shumë ndryshime mes 20 shkurtit të vitit 91, dhe 20 shkurtit sot, por jo çdo ndryshim ka ardhur për mirë.
“Për fat të keq, njësoj si 29 vite më parë, edhe sot, qytetari, të rinjtë, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, janë me kokën ulur. Sërish u rri mbi krye, i sundon, një kastë”, – u shpreh kreu i Forumit Rinor të PD