FOTO – Ish- kryebashkiakja Ademi i rikthehet aktivitetit publik, referon si eksperte nga Shoqata për Autonomi Vendore

Pavarësisht se nga fundi i marsit ka lënë zyrtarisht detyrën e kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi vijon të jetë aktive në jetën publike.

Ditën e djeshme, në rolin e ekspertes për strategjinë e re të decentralizimit të pushtetit vendor 2023 – 2030 për qarqet Shkodër dhe Lezhë, Ademi ka qenë e pranishme në takimin e organizuar nga Shoqata për Autonomi Vendore.


Ndërsa ditën e sotme, ish- kryebashkiakja Ademi ka shoqëruar në NJA Shalë Dr. Gabriele Lames, menaxheren e programit “Customer and Performance Oriented Drinking Water and Sanitation Services” (CPWS), ku është bërë e mundur të realizohet një investim shumë i rëndësishëm për zonën lidhur me ujin e pijshëm.

Ka qenë vetë Ademi, e cila ka shpërndarë disa foto dhe një mesazh: “GIZ ka qenë partner i rëndësishëm i zhvillimit të Shkodrës.

Gjatë vizitës në Njësinë Administrative Shalë, pata kënaqësinë të falenderoj Dr. Gabriele Lames, menaxheren e programit “Customer and Performance Oriented Drinking Water and Sanitation Services” (CPWS) për mbështetjen e shumë projekteve në sektorët e ujësjellës- kanalizime, shërbimet publike e sociale në ndihmë të njerëzve në nevojë, në fushën e turizmit dhe promovimin e zonës.”, shkruan Ademi.