Jeton prej vitesh në Itali, por Shkodrën nuk e ka harruar. Alma Alikaj, e cila u bë e njohur me pjesëmarrjen në “Big Brother 4”, në vitin 2010- 2011 ka ndërtuar jetën e saj përtej Adriatikut. Është martuar, ka dy fëmijë, administron bisnesin e saj të suksesshëm, por edhe Shkodra vazhdon të jetë e pranishme në jetën e saj. Alikaj ditët e fundit, ka dhënë një kontribut konkret për Shkodrën e saj. Më saktë, për zgjerimin e “mushkërive” të saj, përmes dhurimit të disa fidanëve të pishës.
Ashtu siç shkruan “EKO Mendje”, e cila ka kryer mbjelljen e fidanëve në Tarabosh, Alikaj ka dhuruar 70 fidanë pishe 4- vjeçare. Pavarësisht se jeton e punon në Itali, ish- banorja e “Big Brother 4”, është e vemëndëshme edhe për vendlindjen. E nëse të gjithë ata që jetojnë jashtë vendit, do të kishin vëmendjen e Alikajt ndaj Shkodrës, impakti do të ishte i jashtëzakonshëm në jetën e atyre që kanë vendosur të jetojnë në këtë qytet. /ShkodraWeb/