Ndërsa Vllaznia humbi në Tiranë me Partizanin para një jave, trajneri Ernest Gjoka iku nga drejtimi i skuadrës. Në fakt, pa i thënë askujt, pa njoftuar askënd, por vetëm një gazetar që e priste për intervistë, tekniku iku duke braktisur “anijen” që po mbytej. Për disa ditë, Gjoka nuk kapej askund. Celulari ishte i fikur, ata që e takonin nga afër thonin se ishte shumë i mërzitur dhe do fliste…por pasi të merrej vesh çështja e Vllaznisë.
Por sot Gjoka ka thyer heshtjen. Ka harruar “mërzitjen” për Vllazninë dhe po relaksohet. Jo në Shqipëri, por në Greqi, në Selanik, sipas gjasave me paratë e shkodranëve që mori si trajner i Vllaznisë, por mbase jo vetëm me ato para… Ka postuar një foto në rrjetet sociale, i qeshur, ndoshta edhe për shkak të daljes në fotografi. Ndoshta ka pozuar pasi ka mësuar që ish- ekipi që braktisi, ka një farë shprese të qëndrojë në Superligë. Por gjithsesi i qeshur! Futbollistë dhe trajnerë të një brezi tjetër, jo këtij që kemi aktualisht, thonin se nuk guxonin të dilnin në Piacë pas humbjeve për ditë të tëra sepse kishin sedër, përveç presionit të tifozëve. Pse ndodhte kjo? E thjeshtë për tu kuptuar: Ishin të gjithë shkodranë, me familje me banim këtu dhe jo të importuar! Si puna e Ernest Gjokës dhe “gjokëve” të tjerë që Bashkia Shkodër me lekët e taksapaguesve shkodranë i paguan sa “frëngu pulën” dhe lënë ekipin në baltë, në momentin më të vështirë. Por mbase do të vijë dita të flasin. Të parët futbollistët, që mbase kanë diçka për të thënë për ish- trajnerin e tyre…