Një shembull për tu ndjekur por edhe gjest që rrit vlerësimin e turistëve të huaj për Shqipërinë e shqiptarët! Kështu mund të vlerësohet veprimi i një malësori, i quajtur Vasel Frangaj, punonjës i Policisë së Shtetit. Ai ka gjetur një çantë, brenda të cilës ishte edhe një pasaportë e një qytetari francez. Duke shfrytëzuar rrjetet sociale, Franaj ka bërë njoftim:
NJOFTIM
Njoftoj se ne fshatin selce pikerisht ne kthesen e Gjenoviqit ne mesin e rruges nacionale esht gjetur kjo çante.Ju lutem te gjitha bujtinave te kelmendit te interesohen nepermes turistave qe kane qe te vihet ne dijeni ky person pasi çanta rezulton te jete e nje shtetasi francez, te njoftohet se canta ndollet tek une pasi e kam gjetur ne rruge.
Me respekt Vasel Frangaj
Nuk ka vonuar dhe çanta i është kthyer pronarit. Vetë Vasel Frangaj ka e ka njoftuar këtë, përsëri brenda pak orëve:
Brenda nje kohet shum te shkurter nepermjet fb u ba e mujtur dorzimi i cantes tek i zoti ju falenderoj te gjithve per mbeshtetjen.
Pas këtij veprimi qytetar, nuk kanë munguar reagimet në rrjetet sociale. Ndër to, edhe zëvendëskryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Sytki Ndreca, i cili shkruan:
Se ndershmëria e kultura njerëzore nuk kanë munguar kurrë te Fisi Frangaj e tek ju miku im Vasel Frangaj. Ndaj veçse mirënjohje për këtë vepër humane e vlerë malësore. Ky është shëmbulli më i mirë për turistët vendas e të huaj se në trevën tonë Malësi e Madhe përveç bujarisë e mikpritjes janë të pranishëm edhe besa e burrëria si tradita të mbrujtura në kohë e hapësirë. Edhe njëherë gjej rastin personalisht të të falenderoj për krenarinë që i jep çdo malësori miku ynë Vasel Frangaj. #Respekte. /ShkodraWeb Media/