Dita e sotme ka qenë e veçantë për gazetarët, kameramanët dhe reporterët e Shkodrës dhe Lezhës. Të organizuar dhe të ftuar nga Luigj Mila, drejtor i Komisionit “Drejtësi& Paqe”, njëkohësisht iniciator i kthimit në muze- kujtese, ata kanë vizituar ish- burgun- kamp të Spaçit.
Pavarësisht se nuk ishte e para herë që gazetarët e reporterët ishin në këtë burg- kamp famëkeq të diktaturës komuniste, vizita e sotme kishte veçantinë e saj. Sot kolegët tanë nuk ishin raportues të aktiviteteve të ndryshme që janë organizuar në Spaç në përkujtim të viktimave të persekucionit.
Sot ata kanë qenë të ftuar të mësojnë më shumë detaje, natyrisht edhe për të përgatitur kronika, duke patur si “guidë” Zenel Drangun, kryetarin e Shoqatës së ish- të Përndjekurve Antikomunistë të Shkodrës. Në një shënim në Facebook, të shoqëruar me foto, Luigj Mila Shkruan:
“Sot ne ish burgun kamp te Spaçit, me gazetare dhe operatore nga Shkodra dhe Lezha. Si gjithmone te shoqeruar nga miku dhe guida jone e palodhur z. Zenel Dragu. Faleminderit miq per kete dite vecante dhe per kontributin tuaj ne vazhdueshem ne kauzen tone te perbashket: zbulimin e se vertetes dhe percjelljen e saj publikut.”.