Sot nuk ka qenë një ditë pune e zakonshme për Shkelzen Mustafarajn. Ka qenë e fundit në detyrën e tij si Drejtor i Ndihmës Ekonomike në Bashkinë e Shkodrës. Pas 20 viteve sherbim për qytetarët, në një sektor të rëndësishëm por edhe jo pak problematik, “Zeni”, siç e thërrasin të gjithë, del në pension. Më shumë gazetarët, por edhe publiku përmes mediave, e njohin Zenin shumë mirë. Janë qindra intervista, biseda në studio televizive, dalje në foltoren e Këshillit Bashkiak, që e kanë kthyer në një figurë mjaft të njohur edhe përtej Shkodrës.
Përfundimi i detyrës, nuk mund të ishte “i padukshëm” për kolegët, të rinj e të vjetër që ndan vite pune me Zenin. Ai ka dashur ti takojë të gjithë, duke trokitur në çdo zyrë, duke u përshendetur me të gjithë. Shkelzeni njihet si person strikt, edhe sot po ashtu. Me maskë dhe me distancë nga kolegët, i përshendet me dorë por edhe i uron çdo të mirë. “Do të vij sërish t’ju shoh, t’ju takoj”, thotë Zeni.
Nuk mungojnë as batutat, ngacmimet e momentit. “Do të na mungosh për zërin e ngritur, tonin e lartë, e ngacmon një kolege. Por menjëherë e ktheje në buzëqeshje”, shton sqarimin kolegia. Një tjetër i kujton Zenit se ka filluar punë pikërisht në drejtorinë e tij, para shumë viteve.
Përpiqet të buzëqeshë, por sytë i shndrisin edhe nga ndonjë lot që tenton ta tradhëtojë para kolegëve. Janë 20 vite punë. “Kam filluar në vitin 2000, për 4 vite si administrator e për 15 të tjera si drejtor i Ndihmës Ekonomike”, thotë Shkelzeni. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, si@ u takua dhe falenderoi kolegët me rastin e daljes në pension, Zeni falenderoi dhe uroi edhe këshilltarët bashkiakë, ata aktualë por edhe qindra të tjerë që ishin gjatë 20 viteve punë në Bashkinë e Shkodrës.
Pleqëri të mbarë, jetë të gjatë e të shëndetëshme Shkelzen! /ShkodraWeb Media/