FNSH në bashkëpunim me policinë e Elbasanit ndërmorën një aksion blic, ku deri më tani mësohet se janë ndaluar 3 persona. Në krye të operacionit gjendet kreu i policisë së Elbasanit Altin Qato, i cili i ka thëne se operacioni është rutinë dhe se, janë ndaluar disa persona, të cilëve u janë gjetur municione. Ndërkohë, burime të tjera bëjnë me dije se të ndaluarve u janë gjetur armë dhe fishekë, madje edhe një bombë gati për tu shpërthyer. Aksionet janë përqendruar në pjesë të ndryshme të qytetit, fillimisht në zonën paranë Universitetit të Elbasanit dhe për disa orë të tjera fugoni i policisë është parë të stacionohet pranë hotel “Univers”, në pronësi të fisit Çapja, të cilët kanë edhe banesat e tyre aty pranë.
Ende nuk dihet nëse ka arrestime nga këta të fundit, por burime jo zyrtare thonë që mes të arrestuarve ka edhe nga fisi Çapja. Një ditë më parë Elbasani u trondit nga një shpërthim me tritol, ku shënjestër ishte një lokal në lagjen ‘Partizani’ ku për pasojë mbeti i plagosur pronari i biznesit. Vetëm dy ditë më parë Sandër Lleshaj, ministri i Brendshëm zhvilloi një takim me drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan. Lleshaj kërkoi performancë nga ana e trupës policore dhe goditje të shpejtë të grupeve kriminale.