
Deputeti Benet Beci, akoma i pazyrtarizuar si kandidat i PS- së për Bashkinë Shkodër, ka zgjedhur sot të “sfidojë”. Në faqen e tij në Facebook ai ka publikuar disa foto nga një vizitë në Muzeun Historik të Shkodrës, institucion që administrohet nga Bashkia e Shkodrës, të cilën pas 14 majit 2023 Beci synon të marrë në administrim.
Në publikimin e tij, përveç fotove, Beci përcjell edhe mesazhin: “Muzeu Historik i Shkodrës i vendosur në banesën monumentale të njohur si “Shtëpia e Oso Kukës” ruan e ekspozon shumë objekte muzeale të periudhave të ndryshme.
Është e paçmuar vlera e këtyre artifakteve dhe e vetë banesës. Gjithashtu është për t’u vlerësuar kontributi profesional e pasionant i stafit ndër vite.
Qytetarëve dhe vizitorëve në Shkodër iu duhen krijuar më shumë mundësi për t’u njohur denjësisht me historinë e qytetit.”, shkruan Beci në postimin e tij në Facebook.
Gjatë vizitës së tij në Muzeun Historik të Shkodrës, deputeti Benet Beci është shoqëruar nga përgjegjësja e këtij institucioni Amila Gjyrezi.