Edmond Halili ka festuar 65 vjetorin e tij të lindjes. Ekzaktësisht 7 ditë më parë, Mondi kapërceu një prag të rëndësishëm të jetës por edhe ët karrierës së tij si aktor humori. Prej shumë vitesh, Edmond Halili është pjesë e Estradës së Durrësit, qytet ku edhe jeton. Në këtë ditë, por edhe më pas, Edmond Halili mori qindra, ndoshta mijëra urime të meritura, të stërmerituara për të qeshurat dhe kënaqësinë që u dhuroi shqiptarëve me humorin e tij.
Por sigurisht, Mondi është “produkt” i shkollës së famshme të humorit shqiptar, Shkodrës. E natyrisht, Shkodra, shkodranët e sidomos kolegët e tij për shumë vite, nuk do të mungonin. Aktorja Merita Smaja, ka publikuar disa foto nga festa e ditëlindjes së Mondit. Aktori është i rrethuar nga kolegët e tij, me të cilët ka vijuar jo vetëm të jetë në kontakt të përhershëm, por edhe të aktrojë në skena e evente të ndryshme.
Natyrisht, në një pervjetor lindjeje por edhe me ajkën e humorit shqiptar në tavolinë, nuk duhet kenë munguar batutat dhe të qeshurat, këtë herë për një “spektator” të ngushtë, që u kënaq duke i shijuar. E poshtë këtyre fotove, dhjetra, qindra urime. Disa edhe me nota humori. Nga Amerika aktori Ymer Bala e uron: “U rrite, Mond, u rrite edhe ti…mos u dorezo deri ne 101!
E gezofsh diten e lindjes.”.
Edhe 100 të tjera nga sot Edmond Halili! U mbledhsh e festofsh gjithmonë me kolegët e tu, me miqtë e tu e në mes familjarëve të tu! Më sipër, pak nga rolet e Edmond Halilit me kolegët e Estradës së Shkodrës. E në fund, një peng që ne nuk mund të rrimë pa e shprehur. A do të ishte mirë që ky pervjetor shumë i rëndësishëm të shoqërohet me një titull, një shenjë mirënjohje dhe vlerësimi për këtë aktor?! Padyshim, mendojmë se ka vetëm një përgjigje: PO! Sepse Edmond Halili dhe shumë kolegë të tij, e meritonin shumë përpara atyre që i gëzojnë këto tituj prej vitesh! Edhe “dekoratën” ia ka dhënë publiku shkodran, durrësak e shqiptar prej vitesh. /ShkodraWeb Media/