
45- vjetori i “Revoltës së Spaçit” është përkujtuar me një ceremoni pikërisht në mjediset e burgut famëkeq të diktaturës komuniste. I pranishëm në aktivitet ishte edhe presidenti i Republikës Ilir Meta, i cili mbajti edhe një fjalë rasti.
Interes për këtë aktivitet, kishin treguar edhe ambasadorët e akredituar në Tiranë dhe vetë Romana Vlahutin përfaqësuese e BE-së. Edhe nga kleri kishte pjesëmarrës, madje ishte presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare Imzot Angelo Massafra. Të ftuar në aktivitet ishin edhe disa kryebashkiakë, mes të cilëve edhe kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi.
Me 21 Maj 1973, të burgosurit e Spaçit, të lodhur nga puna e rëndë, ushqimi i pakët, dhuna fizike dhe nëpërkëmbja e dinjitetit, shpërthyen në një revoltë masive e cila zgjati tre ditë.
Të burgosurit, në kampin e braktisur nga policët dhe rojet, brohorisnin kundër diktaturës komuniste, kundër ideologjisë marksiste dhe pro demokracisë.
Sipas dëshmitarëve, në atë revoltë, për herë të parë u artikulua shprehja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” Një prej gjesteve simbolike dhe domethënës që shënoi kulmin e revoltës ishte ngritja e flamurit kombëtar pa yllin komunist, mbi tarracën e njërës prej fjetoreve. Flamuri u improvizua me mjete rrethanore nga të burgosurit.
Revolta e 21 Majit 1973 u shtyp me egërsi nga autoritetet, duke përdorur trupa dhe mjete ushtarake. Nxitësit, organizatorët dhe pjesëmarrësit më aktivë u ndëshkuan me rritje të dënimit, ndërsa katër prej tyre u dënuan me pushkatim.
Katër martirët e revoltës së Spaçit ishin: Hajro Pashaj, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja.
Aktivitete si ky i sotmi, i organizuar nga Muzeumi “Burgu i Spaçit”, Komisioni “Drejtësi dhe Paqe” dhe Renovabis, shërbejnë që shqiptarët të mos harrojnë. Sidomos, brezat e rinj që lindën e u rritën pas vitit 1990.
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!