
Në zbatim të detyrave institucionale që i ngarkon ligji në kuadër të procesit zgjedhor, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, po kryejnë me angazhim maksimal dhe përgjegjësi për detyrat e ngarkuara.
Për ruajtjen e 8 KZAZ-ve dhe 405 Qendrave të Votimit, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, ka angazhuar gjithsej 380 punonjës policie.
Pasi ka përfunduar procesi i dorëzimit të materialeve zgjedhore në të gjitha qendrat e votimit në territorin e qarkut Shkodër, punonjësit e Policisë të planëzuar për ruajtjen fizike të objekteve zgjedhore janë paraqitur pranë tyre në orën 18:00 të ditës së sotme dhe kanë marrë në ruajtje të gjitha objektet zgjedhore.
Ruajtja e objekteve zgjedhore do të vijojë deri mëngjesin e ditës së nesërme, kur pranë tyre do të fillojnë punën Komisionet e Qendrave të Votimit dhe Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor.
Të gjitha detyrat e përcaktuara në planin e masave të hartuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, janë realizuar me përpikëri dhe në përputhje me procedurat standarde.
Grupi i drejtimit dhe monitorimit
Në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, është ngritur dhe po funksionon grupi drejtues, me detyrë monitorimin në kohë reale të situatës, ndjekjen e zbatimit të detyrave operacionale, si dhe përpunimin dhe menaxhimin e informacionit, me synimin për të garantuar komunikimin e menjëhershëm me median dhe publikun.
Situata aktuale
Deri në këto momente, situata e rendit dhe sigurisë publike paraqitet e qetë dhe pa probleme.
Gatishmëri për garantimin e sigurisë
Policia e Shkodër, mbetet në gatishmëri të plotë për të përmbushur misionin e saj në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim sigurimin e një procesi zgjedhor të qetë dhe të rregullt.