“Do doja të thoja shumë gjëra. Do flisja pa fund për shpresën e këputur të së bukurës Griseldë, të shumë Griseldave, familjeve që për të shpëtuar të ardhmen e fëmijëve të tyre po provojnë të pamundurën. Por është e kotë. Është kohë e humbur, sikurse qe lufta e mjekëve kundër kohës për t’i shpëtuar jetën të bukurës Griseldë. Është kohë e humbur si leximi i portaleve apo informatat e policëve që kanë humbur etikën në të gjitha përmasat e saj e asnjë prej tyre nuk ishte sot aty.”.
Është një paragraf i shkëputur nga një shkrim shumë i bukur dhe realist i Dom Gjergj Metës, arqipeshkëv i Rrëshenit në Mirditë. Jo më i miri, jo më domethënësi madje, i paplotë dhe pesimist në gjykimin tonë. Përjetimi i tij, gati i kthyer në art, të ngjeth trupin në paragrafet e tjera të shkrimit. Të ngjeth trupin, të lagështon sytë dhe normalisht, të vjen turp deri diku se je gazetar. Sidomos, kur rreshtat e tu shfaqen në portale. Sepse këto të fundit, prej ditësh, mbase me të drejtë (sepse çdo opinion duhet respektuar) po shenjestrohen nga Dom Gjergji më shumë se vetë kriminelët që i morën jetën 17- vjeçares.
Mbase është kjo gjuha që duhet të artikulojë një klerik, i cili nuk ka asnjë shans të ndajë qenien e tij më dysh, duke folur edhe si një qytetar i këtij vendi. Pak a shumë, siç ndodh edhe me një gazetar, qoftë edhe portarlesh, që nuk mund të ndahet nga hallet e gëzimet si qytetar.
Krijohet përshtypja se Dom Gjergji, është ndjekës edhe i portaleve, në hapësirën që mund ti mbetet pasi kryen detyrimet e tij. E si i tillë, mjafton të pyes dikë: Cilat janë lajmet që klikohen në portale apo kanë audiencë në media audio- vizive? Janë ato që në gjuhën e pashpirt të gazetarisë quhen “kronikë e zezë”. E kështu ndodh jo vetëm në Shqipëri, por edhe gjetkë. Të paktën në kanalet italiane që ndjekim ne.
A bëjnë gabime, po to doni edhe faje, gazetarët gjatë punës së tyre? Padiskutim PO! Por në asnjë rast, nuk mendoj se janë të qëllimshme. Edhe në rastin e vajzës së re, janë bërë gabime. Një informacion me burim nga një portal, shumëfishohet, merret edhe nga mediat tradicionale. Ashtu siç ndodhi edhe me Dritën, Ilirn, prindërit e Griseldës së ndjerë. Por është e sigurtë se burimi i informacionit të gabuar, është përtej rrethit të gazetarëve. Mbase tek policia, ndoshta tek të afërm apo të njohur të vetë vajzës së gjorë. Sepse lajmi nuk ishte thjesht “punë portalesh”, u mor edhe nga kompani multimediale kombëtare, që portalin e kanë më pak të rëndësishmin sepse në plan të parë kanë televizionin onair.
Është e tepruar mendojmë që të arrihet deri aty sa të theksohet se “portalet e vranë për herë të dytë” Griseldën. Në fakt, e ndjera fillimisht u quajt edhe nga vetë komunikata e Policisë së Shtetit si B.GJ. Portalet dhe gazetarët nuk mund të vrasin askënd Dom Gjergj. Përkundrazi, edhe ju e dini se gazetarët çdo vit bëjnë apelin dhe mungojnë shumë prej tyre, të rënë në krye të detyrës. Nuk duam të themi se jemi “heronj” por nuk mund të etiketohemi as si “djaj” apo më keq “vrasës”. Ne e dimë se mbase dhimbja apo mllefi i momentit me shumëçka, pas një ngjarje tragjike, ju shtyn drejt përcaktimit ekstrem. Por natyrisht, fjala e një kleriku të lartë, të rëndësishëm apo të njohur mediatikisht si Ju Dom Gjergji, kanë tjetër peshë. Edhe kur shpërndahen përmes portaleve. Urojmë që jo, por nëse do të merren “alla lettera”, fjalët tuaja mund të ndikojnë negativisht për shumë gazetarë nga Mirdita anëkend vendit.
“Errare humanum est”, gabimi është njerëzor. “Perseverare autem diabolicum”, të këmbëngulësh është djallëzore. Në dy shkrime për të njëjtën temë, portalet dhe gazetarët po shenjestrohen me këmbëngulje. Është e drejta juaj, edhe pse nuk duhen futur të gjithë “në një thes”. Ashtu siç edhe për skandale të nivele botërore të klerit, nuk duhet shenjestruar negativisht krejt besimi, feja. Edhe përballë Zotit, Hyjit ekziston mundësia e faljes dhe askush nuk përjashtohet. Librat e shenjtë kanë shembuj pa fund. E në “finale”, të gjithë ne do të duhet “të japim llogari” ditën e gjykimit…
Së fundi, e dime se është guxim i tepruar t’Ju drejtohemi me këto rreshta. Ndoshta do të mbulohemi nga shumë sharje e fyerje besimtarësh ose jo të tillë. Por po përfitojmë nga liria që na dha Zuckenberg dhe ndonjë portal për të dhënë thjesht opinionin tonë, i cili në këndvështrim Tuaj por edhe të çdokujt, mund të jetë i gabuar. Jashtë pozicionit tuaj të nderuar si bari i grigjës njerëzore mbi tokë, mbase gishti duhej drejtuar edhe më përtej se portalet. I shenjestron mjaftueshëm kryeministri dhe sipas gjasave, do të shkojë drejt eleminimit të tyre e më pas, edhe të Facebook me ritmin që ka nisur. Po mendojmë se paralelisht me portalet e gazetarët, duhej shenjëstruar shteti në kuptimin më të gjërë të fjalës dhe të shtrirjes në kohë 28 vjet demokraci. Armët janë sheshit, trimat që i mbajnë në brez janë shtuar, ata që tërheqin këmbëzën lehtë janë jo të paktë. Sikurse edhe ne, edhe ju Dom Gjergj keni vetëm fjalën. Ne herë pas here e themi, edhe pse përgjithësisht bie në vesh të shurdhër. Por fjala Juaj, ka një tjetër peshë, e thamë që në krye të herës. E për ta mbyllur. Ju dhe të gjithë klerikët e nderuar të këtij vendi, nuk rreshtni së predikuari paqen, dashurinë, mirësinë, mirëkuptimin, bashkëjetesën etj. E kur fjala Juaj duket se nuk po hyn në veshët e besimtarëve, nuk zë vend në zemrat e tyre, çfarë mund të bëjnë 100, 500 apo 1000 portale që shuhen mureve të Facebook?! /Shënim i ShkodraWeb/
MUND TË LEXONI EDHE: Dom Gjergj Meta tregon ceremoninë e përcjelljes në banesën e fundit të 17- vjeçares: E bukura Griseldë e veshur si nuse…
Ngjarja e rëndë në Tiranë, reagon Dom Meta: Mos ushqeni thashethemin duke thënë të paverteta…