I nderuar kryetar,
Të nderuar deputetë e deputete dhe të ftuar,
Të dashur bashkëqytetarë,
Dua fillimisht t’i uroj suksese kësaj legjislature me deshirën, po edhe vullnetin e plotë, që ky Kuvend gjatë kesaj legjislature sfiduese për vendin, të ketë në qendër të vëmendjes qytetarët e të ligjërojë akte që jetësojnë axhendën modernizuese dhe integruese të Shqipërisë.
Jam rishtare në këtë sallë, por nuk besoj se është naivitet të presim e të perpiqemi që kontributi i të gjitha palëve politike të pranishme, të ketë Shqipërinë busull orientuese dhe përmirësimin e jetës së njerëzve e të shoqërisë sonë, burime frymëzimi.
Kryeministri Rama në kabinetin e ri qeveritar i ka besuar dy detyra tejet të rëndësishme dy të zgjedhurve të Shkodrës. Befasia që më ka shkaktuar investimi i besimit të tij tek unë, si zevendësja e tij, nuk më ka penguar aspak të kuptoj se këtë investim kaq simbolik po edhe kaq delikat, e meriton Shkodra. Ndërsa unë personalisht, duhet ta meritoj në cdo ditë të punës sime. Për Shkodrën dhe për gjithë Shqipërinë, që i besuan si asnjëherë më parë Partisë Socialiste dhe Edi Ramës, duke na dhënë mundësinë e përgjegjësinë e jashtëzakonshme të udhëheqim vendin tonë në një rrugë reformash rrënjësore, për shtet, punë, mirëqenie.
Tanimë, zotimi ynë madhor për të cuar në një nivel të ri marrëdhëniet e qeverisë me qytetarët, në funksion të një shteti që u shërben shumë më mirë qytetarëve, ekonomisë e sigurisë së tyre, është kthyer në një plan konkret ambicioz.
Reformimi rrënjësor i sistemit të institucioneve dhe i mekanizmave të administratës, është programuar me kujdes dhe do të jetësohet hap pas hapi, në mënyrë që ky mandat të sjellë shërbime shumë më cilësore për qyetarët, lehtësim të ndjeshëm të barrës së burokracisë që rëndon mbi ta, eficencë shumë më të lartë të qeverisjes në tërësi.
Eliminimi apo reduktimi i dokumenteve e licensave do të përmirësojë ndjeshëm marrëdhëniet e rënduara në gjithë këto vite e në cdo plan mes njerëzve të zakonshëm dhe shtetit; do të lehtësojë sipërmarrjen e lirë të cdo niveli, që nga biznesi i vogel deri tek kompanitë e mëdha; do të ulë ndjeshëm nivelin e korrupsionit dhe rrisë atë të transparencës në raportin e qytetarit me institucionet.
Administrata është një aset i vyer, vlera e të ciles duhet të rritet përditë në sytë e publikut dhe vetëm në këtë funksion do të bëhet edhe vlerësimi apo rivlerësimi i burimeve njerëzore. Ndërkohë që ne do të përpiqemi vijimësisht të promovojmë shembujt e shumtë pozitive, punonjësit e panumërt që shërbejnë me dinjitet në administratë, ekipet dhe drejtuesit që bëjnë sukses në rrugën e vështirë të modernizimit të institucioneve e shërbimeve.
Përtej problematikave të njohura me të cilat qytetarët përballen në zyrat e administratës prej afro tri dekadash tanimë, kemi një pjesë të shëndetshme aspak të vogël të administratës sonë, e cila qëndron në lartësinë e detyrës dhe meriton vlerësim nga qeveria e mirënjohje nga publiku.
Nga ana tjetër, qeveria e parë e Edi Ramës ka marrë një notë mjaft të mirë nga Bashkimi Evropian, në një ndër pesë prioritetet që lidhet me administratën. Cka do të thotë se puna jonë nis mbi një bazë të hedhur si duhet në katër vitet e para të qeverisjes socialiste.
Në katër vitet që vijnë qeveria do të funksionojë si bosht i një koalicioni të madh me qytetaret, pasi ishin pikërisht ata, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, të cilët e imponuan këtë koalicion me votën e tyre kuq e zi.
Vetë Shkodra është një shembull kuptimplotë në këtë drejtim dhe unë vetë, njësoj si gjithë kolegët e mi besoj, nuk mund ta harroj asnjëherë, se sa shumë votues që deri dje zgjidhnin Partinë Demokratike, më kanë shtrënguar dorën duke më shprehur mbeshtetjen për Edi Ramën e për programin tonë për Shqipërinë që duam.
Fitorja jonë pa të tjerë në prehër, sic përsëriste Edi Rama gjatë fushatës, ka krijuar një shpresë të re dhe një pritshmëri të lartë. Por ndryshimet që njerëzit presin prej vitesh, tani i kërkojnë me të drejtë nga ne, pasi na dhanë timonin e qeverisjes si një forcë e vetme, nuk janë të lehta. Ato kërkojnë punë të madhe, durim të madh, sakrifica të mëdha. E ardhmja që duam nuk vjen dhuratë nga qielli, po ndërtohet sot, përditë, me mundim. Sa më e madhe ambicia për të, aq më i madh mundimi në ndërtimin e saj.
Unë jam e bindur se ekipit tonë, në Kuvend dhe në qeveri, nuk do t’i mungojë vullneti për të bërë gjithcka që i takon, por mbi të gjitha do të duhet që secili të bëjë atë që i takon. Edhe vetë opozita do të duhet të bëjë atë që i takon. Natyrisht, na takojnë detyra të ndryshme dhe punë të ndryshme, po Shqipërisë i duhen të gjithë dhe të gjitha. Dhe uroj që askush të mos mungojë në detyrën e vet.
Shqipëria tanimë ka gjithnjë e më shumë barrën të japë shembullin e saj edhe në rajon. Por le ta nisim përditë punën tonë duke menduar:
Cfarë shembulli kanë nevojë të shohin prej nesh fëmijët tanë(?)
Cfarë shembulli kanë nevojë të marrin prej nesh njerëzit tanë, pavarësisht bindjeve të tyre(?)
Dhe besoj se as fëmijët tanë dhe as burrat e gratë, gjyshërit e gjyshet e këtij vendi, nuk i’a kanë borxh askujt prej nesh dhe as të gjithëve ne së bashku këtu, vijimin e shfaqjes që është parë rëndom në këtë sallë apo në mjedisin e debatit publik, për shkak të kundërshtive tona.