Të nderuar qytetarë!
Një vit nga fillimi i procesit të fiskalizimit, qeveria mbetet e dështuar në këtë sipërmarrje, duke e shtyrë zbatimin deri më 30 Qershor 2022. Fiskalizimi, u propagandua si një sistem, që më në fund do zhdukte informalitetin dhe do të shoqërohej me miliarda lekë përfitime, por që asnjëherë nuk u bënë publike në shifra konkrete, të monitorueshme, transparente në sytë e qytetarëve shqiptarë.
Mbledhja e të ardhurave mbetet në kufinjtë 26.3- 28 % të PBB dhe parashikimet në Kuadrin Makroekonomik Fiskal 2023-2025, nuk duken aspak shpresëdhënëse, në drejtim të rritjes së të ardhurave nga zgjerimi i bazës së tatim-paguesve.
Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, procesi i fiskalizimit po zbatohet vetëm nga 50% e bizneseve që kanë detyrimin ligjor të fiskalizohen. Jemi shumë larg fiskalizimit të plotë prej 120,000 subjektesh, të deklaruara nga tatimet, por edhe ato nuk e dinë numrin e saktë, pasi biznesi i vogël po mbyllet përditë.
Zbatimi i një ligji në nivel 50% në çdo rast është një tregues shqetësues në disa pikëpamje: të informalitetit të shtuar, pasigurisë dhe deformimit të tregut konkurrues.
Shtyrja e afateve për vendosjen e gjobave ndaj biznesit të vogël, tregon qartë se problemet qëndojnë tek biznesi i madh dhe tek importi.
Qeveria nuk është në gjendje të fiskalizojë bizneset e importit, ato që kanë vëllimin më të madh të qarkullimit të mallrave në gjithë vendin.
Megjithëse Ministria e Financave shprehet se nuk ka përjashtime për fiskalizimin, tregu i hidrokarbureve, naftës, gazit, tregu më i madh me 12-13% të PBB, është akoma i pafiskalizuar. Por Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk vepron, dhe Ministria e Financave nuk ka dijeni për mosfiskalizimin e tyre…
Po ushtrohet trysni tek bizneset e vogla dhe po lejohen të livadhisin bizneset e mëdhaja, që janë pranë qeverisë.
Qeveria nuk arrin të fiskalizojë as kompanitë më të rëndësishme me kapital 100% shtetëror, siç është OSHEE Group sh.a., dhe sh.a- të e ujësjellësave, të cilat lidhen me faturimin e tre kategorive: ente publike, biznese dhe familjarë.
Në takimin e organizuar në muajin dhjetor të vitit që u mbyll, mes Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve , Shoqatave të Kontabilistëve, dhe Institutit te Eksperteve Kontabel te Autorizuar, u ngritën shumë probleme teknike të pazgjidhura, pavarësisht ankesave të vazhdueshme të gjithë ekspertëve dhe kontabilistëve.
• Platforma shumë e ngadaltë dhe me bllokime të herëpashershme.
• Dublikim dhe shumëfishim i faturave
• Probleme me faturat e importit dhe deklarimit doganor të fiskalizuar
• Mungesa e ndërveprimit me bizneset që nuk janë pajisur me certifikatë elektronike, duke sjelle mos njohjen e TVSH-se së zbritshme.
• Punë dyfish e kontabilistëve, pasi librat e blerjeve dhe shitjeve në systemin “self care” nuk janë në përputhje me ligjin e TVSH dhe me systemin e- filling.
• Probleme me faturat korrigjuese për shpërndarjen e TVSH.
• Mosofrimi i zgjidhjeve teknike për kërkesat ligjore të fiskalizimit nga disa kompani të licencuara.
Janë 36 kompani që ofrojnë programet software të fiskalizimit., të licencuara nga AKSHI dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, por për këto kompani të licencuara, mungon monitorimi i tyre.
Një problem tjetër, janë subjektet e zonave rurale, të cilat e kanë të vështire lidhjen me internet dhe funksionimin normal të fiskalizimit. Mungesa e energjisë elektrike në këto zona, evidentohet çdo ditë, në kushtet e përkeqësuara të motit, shkak i mungesës së investimeve dhe mirëmbajtjes së rrjetit elektrik.
Në kushte të mungesës së internetit, faturat e procesuara nuk shfaqen në kohë reale.
Sipas të dhënave më të fundit nga Banka Botërore, Shqipëria mbetet një nga vendet e fundit në kontinent, qoftë për nga aksesi në internet, e qoftë për nga shpejtësia. Thuajse 30% e popullsisë ende nuk ka akses të rregullt në internet.
Shqetësim për tatimpaguesit e vegjël dhe atyre në zonat rurale janë kostot e shtuara dhe të papërballueshme të procesit të fiskalizimit. Duke filluar nga marrja e certifikatës së fiskalizimit për çdo vit, kasat e reja ose përshtatja me software, garancia e internetit për çdo biznes, blerja e kompjuterave, printerave, mirëmbajtja e tyre, punonjës shtesë me ekspertizën e duhur për të aksesuar programet etj., janë shpenzime shtesë në vit për çdo biznes. Dhe të gjitha këto, pasi kemi kaluar periudha mjaft të vështira, si tërmeti dhe pandemia COVID-19, nga e cila nuk kemi dalë akoma.
Gjatë diskutimit në komisionin e ekonomisë, u tha që vetëm 150 Euro është kostoja shtesë për një biznes.
Por kosto reale e shtuar nga procesi i fiskalizimit është si më poshtë:
Për biznesin e vetëpunësuar është:
1.Tarifa vjetore e nxjerrjes së certifikatës elektronike 4,000 lekë në vit.
2. Internet 1500lek × 12muaj = 18,000 lekë.
3. Software i fiskalizimit nga 100€ -300€, 18.150 lekë.
4. Kompjuter ose laptop +printer 500 € ose 60,500 lekë.
Kancelari 10,000 lekë
Ekonomisti nga 3000-5000l/muaj x 12muaj = 36-60,000 lekë.
Kase e re nqs ka qene model i vjeter, qe nuk i
pershtatet ( janë gjithsej 9605 kasa, që nuk mbēshtesin fiskalizimin) 279 € ose 33,759 lekë.
TOTALI 180,409-210,409 lekë.
Gjoja e lehtësojmë nga taksat biznesin e vogël, por ndërkohë ia rrisim shpenzimet dhjetëfish.
Për gjithë këtë rritje të kostos së administrimit dhe shpenzimeve për kompletimin e infrastrukturës, qeveria nuk merr përsipër asnjë kompensim ndaj bizneseve, në një kohë që ky proces është ndërmarrë, që t’i shërbejë vetëm asaj.
Si po zbatohet fiskalizimi në shtetet e tjera?
Meqenëse ne gjithë krahasimet i bëjmë me Serbinë:
Në Serbi, procesi nisi zbatimin nga janari 2021 dhe shteti subvencionoi 100€ bizneset pa TVSH, për përditësimin e pajisjeve.
Fiskalizimi i bërë në këtë kohë dhe me këtë mënyrë, nuk do ta ulë informalitetin dhe përsëri nuk do arrijë t’u marrë para informalëve.
Në Shqipëri nuk janë problem bizneset e ligjshme, por bizneset që operojnë në rrugë joformale, që furnizohen në rrugë të paligjshme ose importojnë mallra pa doganë.
Si do ta zgjidhin qeveria problemin e tyre, në një kohë që është pjesë e korrupsionit dhe e lejon vetë këtë informalitet?
A do mundet kjo qeveri ta fiskalizojë biznesin që sjell mallra pa doganë ose furnizohet në rrugë të tjera të paligjshme? Ai mall, në të gjithë zinxhirin e tij, nuk lë asnjë gjurmë, nuk lëshohet asnjë faturë, pra, përsëri asnjë lekë në buxhet. Janë vetë këta qeveritarë që e kanë lejuar deri tani këtë evazion dhe korrupsion galopant dhe do vijojnë ta lejojnë për sa kohë fitimi ndahet nga poshtë- lart.
Teknologjia e fiskalizimit, sado e sofistikuar dhe moderne të jetë, ajo nuk ka ndonjë fuqi magjike të largojë korrupsionin, i cili tek ne është ngritur në sistem.
Sa më shumë para t’i kërkojë shteti biznesit të ndershëm, duke shpikur llojlloj ligjesh e vendimesh, për t’iu rritur shpenzimet, aq më pranë falimentimit do jetë ai.
Si konkluzion, bilanci i këtij viti të parë të procesit të fiskalizimit, tregon qartë se qeveria shqiptare është e dështuar, dhe nuk ka shpresa që ky proces do të ecë me ritme më të shpejta as këtë vit të dytë.
Qeveria vazhdon të ndërtojë një shtet në 3D, të çorodisë qytetarët me propagandë nga mëngjesi në darkë.
Në fakt, edhe në procesin e fiskalizimit, pritshmëritë nuk kishin si të ishin më të larta, duke parë dështimet në të gjitha aspektet e ekonomisë e financave të këtij vendi nga kjo qeveri. Ajo vazhdon të mbetet e perqendruar tek PPP- të e përbashkëta me oligarkët, duke varfëruar çdo ditë e më shumë qytetarët, të cilët fatkeqësisht braktisin çdo ditë këtë vend ku po vdes edhe shpresa. /Fjala në Kuvend e Emilia KOLIQI, deputete e PD- së për Qarkun Shkodër/