Nga Blerti DELIJA
A do të kishte mundur Enver Hoxha i vetëm apo edhe me Byronë e tij Politike e Komitetin e tij Qëndror të mbante të instaluar për 45 vite një diktaturë si ajo që përjetuan shqiptarët?!
Është pyetje retorike, e cila prej rreth 28 vitesh jo zyrtarisht ka marrë një përgjigje. Madje një përgjigje kokëfortë teksa baballarët e para 1990-ës u zëvendesuan nga bijtë, nipat, ish- aparatçikët e vegjël të diktaturës. Natyrisht nuk flas vetëm për krahun e majtë, por të djathtë, të qendrës e ku dreqin t’ju shkojë mendja në këtë palo- klasë politike. Madje nuk flas as vetëm për politikën si profesion, por edhe për ekonominë, artin, kulturën, sportin po deshët…bile edhe median. Janë të rradhë ata individë që këto 28 vite kanë bërë diçka të dukshme pa patur një lidhje direkte apo indirekte me para 1990-ën. Në rastin më të mirë, dikush nga klani i Diktaturës, i ka dhënë një dorë apo është bërë fjalëmirë “aty ku duhet”.
E gjithë kjo për të bërë një “kapërcim pindarik” në Kuvendin e rradhës të një force politike shqiptarë, këtë herë të djathtë, e para që lindi në kapërcyell të diktaturës. Fishkëllimat kanë shqetësuar jo pak opinionin publik. Për mua është e çuditshme sepse nuk do të jetë hera e fundit, pasi nuk ka qënë as hera e parë dje. Ka ndodhur në PD, PS, LSI dhe vendosni të gjitha siglat e partive që ju kujtohen.
Politika ka kohë që është kthyer në një lloj sporti, madje me 1-X-2 si në futboll. Në shkallët e stadiumit tifozëve nuk u intereson nëse fitoi me meritë apo jo skuadra e tyre. Thjesht i intereson të marrë tre pikët, në rastin më të keq, të mos mundet. Sidomos kur luan në fushën e vet. Fishkëllimat, kur ndeshja është e vështirë, shoqërojnë çdo futbollist kundërshtar sa herë ka në këmbë topin. Madje, ka edhe fyerje e sharje për ndonjë futbollist të veçantë, i cili edhe mund të ketë luajtur me ekipin e “shtëpisë”.
E përsëris apo shkruaj shpesh se 28- 30 vite janë pak për të sjellë ndryshimin që ne presim. Askush nuk e thotë, por këtu e kanë burimin të gjitha dështimet tona edhe në politikë, ekonomi, përafrim me BE-në etj. Ne kërkojmë shumë, kërkojmë shpejt, kërkojmë edhe kur jemi të vetëdijshëm se nuk e meritojmë. Ka edhe më keq. Më kujtohet një barcaletë interesante dhe shumë kuptimplotë që e kujtoj shumë vite më parë ta kem dëgjuar së pari.
Zoti përzgjodhi dy individë, të dy të varfër, të shkundur, njëri prej tyre me një sy. Vendosi t’i plotësojë nga një dëshirë secilit, sado e madhe të ishte ajo. E pyet të parin atë që ishte me një sy. Ai nuk kërkoi ti kthehej edhe syri tjetër siç mbase do të ishte e natyrshme. Dua të më bësh më të pasurin e globit, ishte kërkesa dhe Zoti me fuqinë e tij të pamatë i’a plotësoi. I erdhi rradha të dytit dhe Zoti i bëri ofertën e tij, për çfarëdo gjëje që mund ti shkonte në mendje. I shkundur në varfëri dhe i shëndoshë fizikisht, natyrisht do të kërkonte edhe ai të ishte më i pausi i globit, ashtu si paraardhësi që i’u plotësua dëshira. Por jo! Dua ti heqësh edhe syrin tjetër atij që e bëre më të pasurin e globit, ishte kerkesa. Normalisht Zoti e plotësoi dëshirën e tij dhe mbeti një i verbër totalisht por më i pasuri i globit dhe një i varfër i shkundur por i kënaqur që verboi plotësisht tjetrin. Nuk më kujtohet nëse “ngjarja” ndodhi në Shqipëri, por barcaleta mbyllet duke treguar një Zot që largohet i lebetitur nga ky vend…
Fishkëllima nuk është asgjë. Ne vrasim pa problem edhe vëllain, motrën, nënën edhe pse pas 5 minutave mbase pendohemi e kërkojmë mëshirë para gjykatës. Por i vdekuri nuk ngjallet më. Ne përdhunojmë vajza dhe djem të vegjël në emër të një frustracioni masiv genetik që tashmë po kalon 70- 75 vite në zbatim. Ne vjedhim shtëpinë tonë dhe vrasim edhe gjyshen bashkëm me bashkëpunëtorin, që mund të jetë edhe i dashuri. Ne shtypim me makinë njeriun në punë të vet, largohemi nga vendi i ngjarjes dhe pse një ndalesë mund ti shpëtojë jetën atij personi dhe lehtëson pozicionin para një gjykate. Ne vrasim një burrë sot 28- vjecar, sepse në kohën kur ai ishte 10 vjeç dhe nëna me babanë ishin të divorcuar, i ati ka vrarë dy njerëz. Kjo në emër të gjakmarrjes sonë “krenare”.
E juve i’u shqetësojnë fishkëllimat në një sallë politike, ku luhen interesa milionëshe në euro apo miliardash në lekë?! E ku 90% e atyre që kanë mbushur sallën e kanë qarë me shami 10 mijë lekëshin e rrugës apo i janë falenderuar dikujt që i ka transportuar pa para drejt Tiranës?! Para 1990-ës ka qënë minimal ose inekzistent edhe korrupsioni në gjykata e prokuroria. I bie që vetë ne e kemi krijar e ushqyer. Ne kemi qënë ata që i kemi ofruar para gjyqtarëve, fillimisht për të marrë diçka që nuk na takonte e më pas, për të shpëtuar edhe vetë nga telashet tona.
Mos u lodhni kot, ju që shqetësoheni nga fishkëllimat! Jo vetëm për Selamin e PD-në por për çdo gjë që përfshihet në atë që quhet Shqipëri! Këtë mentalitet kemi, duhet kohë, durim e ndryshim brezash! Sepse e keqja ikën bashkë me njeriun!