“Paguajmë gazetarë ose botues të mediave edhe në Shqiperi në mënyrë që të ketë shkrime pozitive për Greqinë ose të lobojnë në vendin e tyre në favor të interesave greke”. Është kjo deklarata e Ministrisë së Jashtme të Greqisë, pasi u mësua se ky dikaster vetëm për muajin tetor të këtij viti ka paguar 1 milion euro për portalet dhe mediat në Shqipëri.
Në një vend normal, autoritetet e vendit- nga presidenti, kryeministri, shërbimet inteligjente e me rradhë, do të duhej të prononcoheshin. Në fakt, deri tani, ajo që mund të quhet „Tirana zyrtare“ ka heshtur. E nuk flitet vetëm për pjesën e shtetit që I takon mazhorancës, por edhe vetë opozita, e cila natyrshëm është pjesë shumë e rëndësishme e shtetbërjes.
“Bomba greke” plasi ndërsa në Shqipëri po bëhej “beteja” për NIPTizimin e portaleve online. Mazhorance jepte argumentet e saj, opozita kundëargumentet. Lajmi nga Greqia nuk ka të bëjë thjeshtë me “fake news” që palët politike i servirin publikut kundër rivalit respektiv politik. Në lojë është SIGURIA KOMBËTARE e Shqipërisë. Nuk do të ishte çudi që presidenti i Republikës, në cilësinë e kreut, të mblidhte edhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
A ju kujtohet se çfarë ndodhi dhe po ndodh në SHBA me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet atje? Edhe Rusia, nuk ndërhyri me armë, por me mjete të ngjashme duke përdorur rrjetet sociale me llogari të sponsorizuara. Pra me para, me euro ose dollarë. Greqia ka ecur më përtej, në një moment kur ta gjykojë të volitshëm, ndërhyrja mund të ketë pasoja më të rënda se ajo ruse në SHBA.
Por heshtje…heshtje…sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nuk besoj se pasja e një NIPTI nga mediat që kkanë gëlltitur paratë greke, do të pengonte ardhjen e tyre në Shqipëri. Po ashtu, është e sigurtë se po të hapni “borderotë” e Ministrës së Jashtme të Greqisë, nuk do të gjeni asnjë emër portali shqiptari, asnjë emër gazetari shqiptar e kështu me rradhë. Por edhe ato para që kanë hyrë, mund të gjurmohen. Mjafton që agjencitë ligjzbatuese shqiptare të verifikojnë pasuritë e portalmbajtësve, mediave që me zor mbajnë 2-3 vetë në punë. Por pronarët lëvizin me makina 50 mijë euro, kanë shtëpia 150 mijë euro, llogari bankare 1 milion euro… Me cilat para i kanë bërë, ku i kanë gjetur?
Ashtu si Ministria e Jashtme e Greqisë, edhe homologë të tjerë të tyre që kanë interesa në Shqipëri, nuk ka as më të voglin dyshim, se kanë ndjekur të njëjtën rrugë. Në Shqipëri ka media që mbrojnë edhe interesa të shteteve të tjera si Serbia, Turqia, Mali i Zi, Italia, Rusia etj., etj. Por tani për tani, mesa duket nuk konsiderohen “shqetësim” për SIGURINË KOMBËTARE të Shqipërisë. /Editorial nga ShkodraWeb/