Pas dërgimit të letërporosisë në Itali nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për marrjen në pyetje të Nezar Seitit, Prokuroria e Katanias e ka ekzekutuar atë. Burime të “Panoramës” brenda organit shqiptar të Akuzës, thonë se Nezar Seiti, i konsideruar si “financieri” i Habilajve, ka dëshmuar para prokurorëve italianë për përfshirjen e tij në organizatën kriminale të Moisi Habilajt.
Me interes për hetimet në Shqipëri mbetet emri që Nezar Seiti ka përmendur, për një zyrtar të drejtësisë shqiptare, i cili ndihmonte grupin kriminal. Emri i zyrtarit nuk bëhet i ditur për arsye hetimore, por burimet thonë se ai vijon të jetë në detyrë.
Gjithashtu, Seiti është pyetur edhe për Saimir Tahirin, ish-ministrin e Brendshëm që është nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Pritet që këto ditë të vijë procesverbali i dëshmisë së Nezar Seitit në Shqipëri, i cili do t’i bashkëngjitet dosjes “Tahiri-Habilaj-Sota”.
Seiti u ekstradua në Itali me kërkesë të tijën, por në kushtet kur ai po procedohej edhe në Shqipëri krijoi një skandal, pasi ligjet thonë se ai s’mund të ekstradohej. Për këtë, një gjyqtar dhe tre prokurorë janë nën hetim disiplinor.