Çelsi ia doli të fitojë finalen e Europa League për këtë sezon, teksa bindi dhe dominoi përballë Arsenalit, duke triumfuar me shifrat e thella 4-1.
Në finalen e Bakusë, në Azerbajxhan, pjesa e parë pa ekipin e Arsenalit më kërkues, me Lakazet që në një moment kërkoi penallti, ndërsa pas pak minutash ishte Xhaka që pas një goditje të fortë, u ndal nga traversa. Edhe Çelsi provoi, por Çek ia doli të mbajë të paprekur rrjetën.
Më pas, në pjesën e dytë filloi edhe “lumi” i golave. Zhiru zhbllokoi shifrat në minutën e 49-të, pas një goditje të bukur me kokë. Në të 60-tën, ishte radha e Pedros që me një të majtë, devijoi topin e çoi në fundin e rrjetës.
5 minuta më pas, radha e Hazard që nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, pas një 11-metërshi të fituar nga Zhiru. Në të 69-tën, u duk sikur Arsenali ndryshoi diçka dhe do reagonte, pas një supergoli të Iuobit me të djathtën nga jashtë zone, por përsëri belgu Hazard, shënoi vetëm 3 minuta më vonë, duke çuar shifrat në 4-1, dhe duke shuar shpresat e “topçinjve”.
Në fund, ekipi e Sarrit e mbyll me një trofe të rëndësishëm këtë sezon, ndërkohë që Arsenali mbetet jashtë Champions League, pasi as në kampionat nuk ia doli ta sigurojë një vend.
FT | Çelsi-Arsenal 4-1
GOL: Zhiru 49′, Pedro 60′, Hazard pen. 65′, 72’/ Iuobi 69′