Me të drejtë është quajtur “La Piovra” (Oktapodi) shqiptar. Filmi “Njerëz dhe Fate 2”, është një radiografi e realitetit shqiptar, kthyer në art me interpretimin e emrave më të mëdhenj të kinematografisë shqiptare.
Mirëpritja që po i bën Shkodra këtij filmi këto tre netë, është tregues i suksesit që produksioni ka korrur edhe në sallat e tjera të kinemave ku është shfaqur deri tani.
Është një vazhdim i serialit të famshëm me të njëjtin titull, i cili këtë herë vjen me komponentë të arrirë profesionalë duke nisur nga fotografia, video- editing dhe cilësia e audios. “Qershia mbi tortë” janë aktorët, me interpretimin e tyre brilantë, madje edhe jo profesionistë si gazetari Artan Hoxha, Nevina Shtylla apo këngëtarja Rovena Dilo.
Emrat e Viktor Zhusti, Arben Derhemi, Alfred Trebicka, Eni Jani, Gentjan Zenelaj, Artur Gorishti, Nevina Shtylla, Leonard Bombaj, Neritan Liçaj, Vin Bejleri, Mehdi Malkaj, Behar Mera grishin drejt kinema “Republika” spektatorët, pasi ata që e kanë humbur këto tre netë, kanë mundësi edhe me 1 dhjetor, në dy orare, 17:00 dhe 19:00.
Sigurisht, regjia e filmit nga Dionis Papadhimitri dhe Klajd Papadhimitri, skenari i tij nga Ruzhdi Pulaha përmbushin ansamblin që po e kthen në “filmin e vitit 2024” krijimin kinematografik “Njerëz dhe Fate 2”.