Në të gjitha etapat e zhvillimit të Shqipërisë, Shkodra ka qenë kryeqytet i pakontestuar i humorit. Ai buronte nga shpirti, nga përditshmëria, e cila zbukurohej apo lehtësohej pikërisht nga humori edhe në vitet e rënda të diktaturës komuniste.
Në Shkodër kujtohen akoma “Ditë buzëqeshjesh”, eventi që mblidhte para 1990- ës estradat nga i gjithë vendi, duke dhuruar humor, të qeshura, hare edhe në zymtësinë që i imponohej shkodranëve nga partia- shtet.
Pas 3 dekadave, kryeqytetit të humorit po i rikthehet një event i rëndësishëm, Festivali Mbarëkombëtar i Humorit, shpresojmë të hyjë në traditën e përvitshme të organizimit, i cili sivjet zhvillohet nga 11- 15 dhjetor në Teatrin “Migjeni”.
“Në Shkodrën tonë të humorit, në tempullin e artit dhe të kulturës, do të mbahet Festivali Mbarëkombëtar i Humorit, në datat 11-15 dhjetor. Emrat më të mëdhenj të humorit do të mblidhen bashkë në Shkodër në Teatrin “Migjeni” si dhurata më e çmuar këtë fundvit.”, shkruan kryebashkiaku Benet Beci në rrjetet e tij sociale.
Sigurisht, do të ketë një interes shumë të lartë nga shkodranët për të qenë të pranishëm dhe me gjasë, duhet që ditët e kësaj shfaqje që rikthehet pqs shumë vitesh në Shkodër, të shtohen përtej planifikimit.