Ditën e sotme ShkodraWeb Media ka trajtuar vonesën e pagave nga punonjës të ndërmarrjeve të varësisë dhe administrata e Bashkisë së Shkodrës. Në fakt, pas një vëzhgimi të bërë, situata është e njëjtë në të pesë bashkitë e Qarkut të Shkodrës. Madje, edhe vetë administrata e Këshillit të Qarkut Shkodër, është pa marrë rrogat e dhjetorit 2020.
Kështu, konfirmohet se Bashkia Vau- Dejës, Bashkia Malësi e Madhe, Bashkia Pukë dhe Bashkia Fushë- Arrëz janë në të njëjtat pozita si Bashkia e Shkodrës. Edhe faqja online e Thesarit, brenda faqes së Ministrisë së Financave në internet, aty ku tregohen edhe pagesat për institucione të ndryshme, është e paaksesueshme.
Situata e pazakontë ka përfshirë të gjitha njesitë e qeverisjes vendore në Qarkun e Shkodrës dhe nuk është vetëm Bashkia e Shkodrës dhe ndërmarrjet e saj të varësisë. Mbase është momenti që Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, Ministria e Financave apo edhe Thesari, të japin një shpjegim për sa po ndodh në këtë rajon të vendit. A është e njëjta situatë edhe në bashkitë e qarqet e tjera të vendit? Nga burime jo zyrtare, e njëjta situatë ëdhtë edhe në pushtetin vendor në Qarkun Lezhë. Ai që ka infomacion për qarqe të tjera, është i lutur ta dërgojë. Por dalja jashtë funksionit e faqes zyrtare të Ministrisë së Financave, teksa nuk ka një njoftim për sulm nga hakerat, nuk lë shteg për shumë hamendësime. Sa për informacion dhe që mund ta verifikoni edhe vetë, duke nisur nga Kryeministria dhe ministritë e tjera, të gjitha faqet në internet janë të aksesueshme online. /ShkodraWeb Media/