Sot kur 12 persona janë vënë në pranga si “fajdexhinjë”, askush në Shkodër, si në të gjithë Shqipërinë, nuk mund ta pohojë se nuk kishte dijeni se fenomeni ekzistonte. Nuk po them për “fajdet” që lulëzuan në Shqipëri nën kamuflimin si “piramida” që rrënuan shqiptarët, e bashkë me ta edhe shkodranët, në vitin 1997. Po flas për “fajdet”, për të cilat sot të gjithë po bëjmë si të habitur.
Që nga 1990 e këtej, në Shkodër janë njohur me emra dhe me vendndodhje të gjithë ata që jepnin para me kamatë jashtë sistemit bankar. Madje, prej vitesh në Shkodër dihej se kur procedurat bankare ishin të pakapërcyeshme për shkak të dokumentacionit që kërkonin, “kryeje punë” për pak minuta tek “Dollari” ose “Tregu valutor” siç njihet në qytetin më të madh verior.
Këtë e kanë ditur mirë jo vetëm “fakir- fukarenjtë” që i kërkonin paratë me fajde për hallet e tyre, por edhe bisnesmenët e mëdhenj që kërkonin brenda një kohe të shkurtër likuiditete apo CASH për të blerë mall apo pasuri, të luajtshme apo të paluajtëshme. Natyrisht, duke qenë “para e shpejtë”, kishte edhe interes shumë më të lartë se banka. Në Shkodër ka qenë mjaft e përhapur “fajdeja disa orëshe” apo edhe “fajdeja disa ditëshe”. Një bisnesmen kishte nevojë urgjente për para CASH, bankat mund të mos ia jepnin për shumë arsye ose ishin edhe të mbyllura në fundjava. “Zgjidhja” vinte nga fajdet, më saktë nga fajdexhinjtë. Ka patur raste kur edhe janë marrë sot 250 mijë euro dhe janë kthyer pas dy ditëve 255 mijë apo 210 mijë euro. Ky ishte interesi që duhej paguar. Madje, ka patur aludime se edhe drejtorë bankash, kanë operuar me këtë “sistem” në Shkodër, duke nxjerrë kryesisht fundjavave (nga e premta pasdite deri të hënën në mëngjes) shuma CASH që ktheheshin bashkë me interesin e fajdeve tek “Dollari”. Këto të fundit, përfundonin në xhepat e drejtorëve, kuptohet.
Për ekzistencën e këtij “tregu të fajdeve”, kanë patur informacion të gjithë, madje edhe “krimi ekonomik”, siç quhet struktura e policisë që merret me “disiplinimin” e këtij fenomeni. Në jo pak raste, kanë qenë edhe vetë punonjës të kësaj trupe që kanë lajmëruar “fajdexhinjtë” për ti shpërtuar ndonjë kontrolli të mundshëm e “të befasishëm”.
“Tregu i fajdeve” në Shkodër, si në gjithë Shqipërinë, ka funksionuar me dy mënyra. E para, ka qenë “fjala e burrërisë”. Pra, kur ke patur një farë reputacioni, te patur prona apo pasuri, je drejtuar tek fajdexhinjtë e të kanë “kryer punë” pa patur nevojë për “letra”. Mënyra tjetër, edhe më e përhapur sidomos 10 vitet e fundit, ishte ajo përmes deklaratave noteriale. Një person që kishte nevojë le të themi për 10 mijë euro, duhej të linte peng para një noteri një pasuri të luajtshme apo të paluajtshme 5 herë më të madhe në vlerë monetare. Caktohej edhe një afat kur paratë do të ktheheshin dhe prona do të çlirohej. Sigurisht edhe një normë fitimi mujore që varionte nga 2% deri në 10% në favor të fajdexhiut. Kur afati për kthimin e shumës së parave kalonte, sipas deklaratës noteriale, pronari ishte i detyruar ta kalonte pronën në emër të fajdexhiut para një noteri. Në këtë mënyrë, kanë kaluar me dhjetra, qidra prona nga një person tek tjetri. Sepse fajdexhiu, në shumicën e rasteve, ishte i interesuar të merrte paratë CASH pasi iu kishte marrë interesin, ndërsa prona ose shitej me vlerë minimale, ose merrej nga një “garant” në formën e ndermjetësimit. Në këtë mënyrë është vepruar me bisnese të tëra, vila e shtëpi banimi, makina, bizhuteri të vlefshme e deri në aparatura të shtrenjta elektronike si celularët. E ky bisnes ka lulëzuar, në tërë kuptimin e fjalës, prej 30 vitesh. Ndërkohë, nuk kanë munguar rastet kur shumë persona, edhe janë marrë peng deri sa kanë paguar apo kthyer paratë e interesat e fajdeve ose kanë firmosur para noterit për pronat e lëna peng para noterit.
Për një periudhë kohe, pranë fajdexhinjve lulëzonte edhe një bisnes tjetër interesant. Nëse kishte një shumë to konsiderueshme parash, të cilat banka i depozitonte me 2%- 4% në vit, fajdexinjtë ofronin 1%- 2% në muaj. Për ta konkretizuar, nëse në një vit banka të jepte maksimumi 4 mijë lekë për 100 mijë të depozituara, fajdexhinjtë të ofronin jo më pak se 12 mijë për 100 mijë lekë të depozituara ose më shumë se trefishin e bankave. Në disa raste, qytetarët që i kanë besuar fajdexhinjve paratë e tyre, edhe kanë humbur. Sidomos kur ia kanë dhënë ti qarkullojnë në mirëbesim, pa deklarata noteriale.
E gjithë kjo skemë aspak ilegale, ka ekzistuar në Shkodër si edhe në tërë vendin. Sipas gjasave, edhe do të vazhdojë në të ardhmen. Aq më tepër, kur në mes është edhe ndërmjetësimi me noter të njohur nga shteti. Madje, dyshimet shkojnë deri në atë pikë, sa 12 personat e arrestuar me bujë, shpejt do të jenë të lirë. Arsyet do të kuptohen më mirë kur të nisin seancat gjyqësore, që nga ajo e masës së sigurimit brenda 72 orëve. Në rastin më të keq, nëse ka dokumentacion, fajdexhinjve do tu kërkohet të paguajnë taksat e munguara në shtet për transaksionet apo fitimet e tyre. Ose, ndonjë sanksion për ushtrim aktiviteti financiar pa licencën përkatëse!
Ndër personat e arrestuar me bujë sot, në Shkodër shumica njihen. Në mes tyre ka ish- të persekutuar, mbështetës të së djathtës, të së majtës, të paangazhuar që shohin punën e tyre. Ngjan me një “furtunë në gotë” përpjekja për të lidhur politikisht fajdexhinjtë apo viktimat e tyre. Pavarësisht se mund të konsiderohet i paligjshëm, edhe fajdet janë bisnes dhe bisnesi nuk ka ngjyrë politike. Si në rastin e viktimave, ashtu edhe fajdexhinjve. Sipas gjasave, gjithë këtë skemë që në Shkodër e njohin të gjithë- jo më gazetarët, mesa duket ka “kopsitur me letra e prova” prokuroria dhe policia…
E në fund, përtej çdo konotacioni të mundshëm pozitiv apo negativ për superaksionin “Maranaj”, gjithçka do të rezultojë si një show i rradhës. Pak a shumë, si në rastin e pikave të basteve, të cilat nga 1 janari 2019, në Shqipëri e në Shkodër janë zhdukur… Apo nuk është kështu…?! Flasim një herë tjetër për këtë temë!
E për ta mbyllur, mos harroni se “parja çan detin”…në çdo kohë e sistem! /Nga Blerti DELIJA/